Hezitimi i gazetarëve në Kosovë që të raportojnë kërcënimet ndaj tyre po shkon drejt një imunizimi ndaj këtij fenomeni. E kjo rrjedh nga mos besimi në organet e rendit.
Madje, sipas avokatit Arianit Koci, gazetarët përveç se punojnë në kushte të rënda, ata tashmë janë adaptuar me një terren të tillë të punës.
“Kjo situatë po e stimulon dhunën ndaj gazetarëve. Gjithë duhet me pranu që gazetarët punojnë në kushte shumë të rënda në Kosovë dhe çka është më e keqja, ne jemi adaptu në këto kushte”, ka thënë Koci në Rubikon të KTV-së.
“Unë e di personalisht që me dhjetëra kërcënime i ka pas Adriatiku, ja lexoj dhe mesazhe ka pas edhe prej zyrtarëve të partive politike edhe tash kemi mbërri në situatë kur ky as nuk i lajmëron. E di Serbezja që i ka lajmëru rastet, tash nëse nuk e gjejmë vrasjen e Bardhyl Ajetit, natyrisht që krijohet një klimë ku gjithkush gjithkënd mundet me kërcënu”, shtoi tutje Koci.
Ai foli edhe për rastet kur është paraqitur kërcënimi dhe është dënuar kryerësi i veprës.
Mirëpo edhe në këtë rast, përmes procedurave, Koci thotë se po jepet shembull i keq.
“Me ato dënime po jepet një shembull i keq. Betim Musliu është kërcënu shumë rëndë, me vite ka zgjat procedura, është dënu kryerësi i veprës me 300 euro, as ato si ka pagu se është parashkru ekzekutimi i dënimit”.