Arbëri

Liria e shprehjes, e kërcënuar

agk

Kërcënimet, presionet e neglizhenca institucionale në trajtimin e rasteve të gazetarëve vazhdojnë të jenë prezentë në Kosovë. Kështu është thënë me rastin e Dirës Botërore të Lirisë së Shtypit, e cila u shënua me disa aktivitete. Mbështetur në të dhënat e organizatës “Reporterët pa Kufij” mbi gjendjen e lirisë së mediave për vitin 2020, Kosova renditet në vendin e 70-të në botë dhe qëndron më mirë krahasuar me disa vende të rajonit.

E, sipas të dhënave të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, gjatë vitit 2020 janë raportuar katër raste të sulmeve ndaj gazetarëve dhe 17 raste të kërcënimeve. Ndërkaq, pengesë kryesore vazhdon të jetë zvarritja e proceseve gjyqësore në rastet e gazetarëve.

“Ne e dimë se nga viti në vit rritet numri i gazetarëve që lajmërojnë sharjet, fyerjet, kërcënimet në AGK dhe vetë ne kemi qenë dëshmitarë se me sa lehtësi sulmohen kolegët tanë në mes të ditës në qendër të qytetit, ku kalimtarët e rastit dhe veturat janë të shumta. Ndërkaq, si zakonisht prej organeve të drejtësisë e kemi tashmë atë fjalinë e njohur se hetimet vazhdojnë, se jemi në rrugë të mirë për të ndriçuar rastet, mirëpo të gjitha këto në të shumtën e rasteve mbesin vetëm fjalë boshe”, ka thënë kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli.

AGK-ja po ashtu u ka bërë thirrje institucioneve që të zbardhet e vërteta për 15 gazetarët e vrarë dhe të zhdukur gjatë dhe pas luftës në Kosovës.

Ndërkaq, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, ka thënë se krahas promovimit të lirisë së mediave duhet luftuar edhe lajmet e rreme.

është disa hapa para rajonit në kuptim të shtypit. Kosova ka rënë për 8 pozita nga viti i kaluar dhe e ka përfunduar kështu një seri 5- vjeçare të përmirësimit në këtë aspekt. Ne mbështesim komunitetin tuaj në promovimin e gazetarisë së shtypit. 2020-a ka treguar një rritje të lulëzimit të lajmeve të rreme sidomos që kanë të bëjnë me pandeminë. Keqinformimi e ndot hapësirën e informimit. Ne mbështetemi te profesionistët medialë që të promovojnë etikën profesionale”, ka theksuar ai.

Koordinatorja e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, Ulrika Richardson, u shpreh se rënia e Kosovës për 8 pozita në indeksin e lirisë së shtypit është një alarm për vëmendje për ta rritur mbrojtjen e gazetarëve, në mënyrë që ata ta kryejnë punën e tyre pa frikë.

“Kjo nuk është lajm i mirë, absolutisht jo, dhe më duhet të them që në fakt ky është një alarm që na thirr për vëmendje për të rritur mbrojtjen e gazetarëve, në mënyrë që ata ta kryejnë profesionin e tyre pa frikë nga jeta, pa frikë të diskriminimit, pa frikë të çfarëdo lloj hakmarrjeje. Për fat të keq ne pamë se si dhuna ka vazhduar dhe madje është rritur ndaj gazetarëve, por gjithashtu është shumë më rëndësi që të sigurojmë që kushtet institucionale janë aty”, ka theksuar ajo.

Shefi i Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit-EULEX, Lars-Gunnar Wigemark, deklaroi se Kosova gëzon një kornizë të mirë ligjore, por që sërish tha se ka kërcënime dhe rreziqe në punën e gazetarëve.

Edhe ai përmendi rënien për 8 vende të Kosovës në Indeksin e Lirisë së Shtypit, megjithatë, tha se Kosova qëndron më lart se disa vende të Ballkanit Perëndimor.

3 maji e gjen Kosovën pa asnjë gazetë të shtypur. “Associated Press” ka realizuar një artikull se si Kosova është vendi i vetëm në Evropë ku nuk del asnjë gazetë e shtypur. Deri në mars të vitit të kaluar Kosova kishte pesë gazeta ditore, botimi i të cilave u ndal pas shpërthimit të pandemisë COVID 19.

Gazetat në internet janë një model tjetër biznesi, që e ka provuar “Koha Ditore”. Kryeredaktori Agron Bajrami ka thënë për AP se gazeta po përballet me një “luftë të ashpër”, duke u përpjekur "të edukojë njerëzit që ata duhet të kontribuojnë duke paguar lajmet që marrin", thotë Bajrami.

“Teknologjia ka bërë që shumë gazeta, ish-gazeta tradicionale, të përpiqen të sillen sikur të transmetonin drejtpërdrejt. Vjen me një kosto të madhe për standardet profesionale”, ka thënë Bajrami.

Për Ditën e Lirisë së Shtypit kanë uruar edhe politikanë dhe diplomatë të huaj në Kosovë.

Ambasada amerikane ka theksuar se shtypi i gjallë dhe i lirë që e informon publikun dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë, është përbërësi themelor për demokraci të qëndrueshme.

“E drejta e lirisë së shprehjes garantohet me nenin 40 në Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Sulmet ndaj gazetarëve janë sulme kundër lirisë së shprehjes dhe demokracisë. Asnjë sulm ndaj gazetarëve nuk duhet të kalojë pa vënë re, pasi që mosndëshkimi çon në përsëritje të rasteve”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.

Ndërsa Ambasada britanike ka deklaruar se në mbarë botën liria e mediave është nën sulm.

“Britania e Madhe po bashkëpunon me partnerët si një forcë globale për të mirë, duke qëndruar për të mbrojtur demokracinë, derisa mbron gazetarët”.

Presidentja Vjosa Osmani, përmes “Facebookut” ka uruar Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, duke thënë se ajo është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë, ku të gjithë ndihen të lirë të thonë atë që e mendojnë.

“Dua t'i inkurajoj ta vazhdojnë përpjekjen e tyre për raportim të drejtë e të paanshëm, ngase liria e shtypit është parakusht themelor për funksionimin demokratik të shoqërisë. Të një shoqërie ku çdo ditë krijojmë hapësirë për ta dëgjuar mendimin ndryshe dhe ku secili ndihet i lirë ta thotë atë që e mendon”, ka shkruar Osmani.

Dita Botërore e Lirisë së Shtypit shënohet që nga viti 1993 dhe shërben për të kujtuar rëndësinë e respektimit të lirisë së shprehjes dhe etikën profesionale.