Arbëri

Mosmarrëveshjet mes stafit të shkollës u kushtojnë nxënësve me humbjen e orëve

Për shkak të mosmarrëveshjeve mes stafit shkollor, nxënësit në fshatin Kçiq i Madh në Mitrovicë, kanë humbur një ditë mësimi. E për këtë, disa prindër kanë organizuar gjatë ditës së martës një protestë para objektit të shkollës. Aty pati edhe fjalosje mes prindërve dhe stafit të shkollës, për çka u paraqitën tri vetura të policisë. Për moszhvillimin e procesit mësimor, Drejtoria e Arsimit në Mitrovicë nuk ka dhënë sqarime

Tri patrulla të policisë u paraqitën të martën në oborrin e shkollës “Bislim Imeri” në fshatin Kçiq i Madh i Mitrovicës, pasi protesta e organizuar nga disa prindër u tensionua, duke çuar në fjalosjen e tyre me stafin e shkollës.

Protesta u organizua, pasi të premten rreth 300 nxënës humbën një ditë mësimi, shkaku i mosmarrëveshjes mes ushtrues së detyrës të drejtoreshës, Ardita Brahimi dhe mësimdhënësve.

E prindërit me parulla në duar protestuan për të përkrahur Brahimin

“Pa asnjë lloj shpjegimi i kanë qit nxënësit prej shkollës, nuk dihet arsyeja, nuk kanë pasur shpjegim as nxënësit, kanë pasur frikë se janë përhapë propaganda se ka helm, e tensionet në veri, edhe fëmijët i kanë larguar nga shkolla pa e pyetur drejtoreshën... Çka kemi ne faj pse këta kanë probleme në mes vete. Na nuk kemi faj që me i largu nxënësit prej shkollës, nuk e kanë telefonuar asnjë prind”, ka thënë prindi Islam Aliu.

Mësimdhënësit, veprimin e prindërve e kualifikuan si orkestrim të Brahimit. Ata treguan prapa kamerës se janë detyruar t’i dërgojnë nxënësit në shtëpi të premten, pasi për shkak të tensioneve të krijuara mes stafit dhe Brahimit, pati edhe hedhje të gazit lotsjellës nga një person i panjohur.

Këtë e mohoi Brahimi, e cila akuzoi mësimdhënësit se janë duke bërë komplot për të sabotuar punën e saj.

“Tash pas reagimeve të prindërve janë duke u munduar ta mbulojnë atë që e kanë bërë veprim të gabueshëm. Do të thotë pa lejen time i kanë dërguar nxënësit"... "Unë ka me qenë zëri juaj edhe do të kem zero tolerancë ndaj duhan prirjes, shikimit të televizionit në shkollë, vonesat në shkollë, zero ka me qenë, ju garantojë. Tjetra nuk guxon asnjë mësimdhënëse dhe nuk ka të drejtë fëmijën e klasës së parë, ta qesin në autostradë”, ka theksuar Brahimi.

Për moszhvillimin e procesit mësimor, drejtoresha e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu, nuk ka dhënë as një sqarim me pretekstin se nuk ka kohë.

E Brahimi ka thënë se për situatën e ka njoftuar Drejtorinë e Arsimit.

"Unë të premten për zhvillimet që kanë ndodhur, i kam kthyer e-mail zyrtare edhe kryetarit të komunës, por asnjë përgjigje nuk e kam as nga drejtoresha Drita Kadriu, e as nga kryetari Bedri Hamza", ka deklaruar Brahimi.

Konkursi për zgjedhjen e drejtorit të ri për këtë shkollë dhe 12 institucione të tjera ka dështuar në nëntor, si rezultat i interesimit të ulët për të aplikuar.