Arbëri

Mosdeklarim e deklarim i rrejshëm i pasurisë: 60 zyrtarë në Prokurori

Agjencia Kundër Korrupsionit ka deponuar në Prokurori rreth 60 raste të konfliktit të interesit, të mosdeklarimit apo deklarimit të rrejshëm të pasurisë. Në mesin e personave, ndaj të cilëve janë bërë këto kallëzime penale, janë edhe politikanë e zyrtarë të sistemit të drejtësisë. Për deklarim të pasurisë kanë mbetur edhe pesë ditë, dhe deri më tani pasurinë e kanë deklaruar rreth 2 mijë e 500 zyrtarë, nga gati 5 mijë sa janë të obliguar

60 raste për korrupsion, mosdeklarim e deklarim të rrejshëm të pasurisë të zyrtarëve të lartë të shtetit, Agjencia Kundër Korrupsionit i ka proceduar në Prokurori vetëm për muajt shkurt e mars. Të përfshirë në këto raste janë edhe zyrtarë të sistemit të drejtësisë, si dhe përfaqësues të Qeverisë.

“Pozita ka edhe të larta, deri te niveli i asamblistit, ka nga niveli i ministrit, ka gjyqtarë, ka kryeprokurorë, ka zëvendësministra, ka këshilltarë, ka drejtorë të policisë, e të tjerë që kanë të bëjnë me raste që i kemi dërguar në Prokurori”, ka thënë Yll Buleshkaj, drejtor i Agjencisë Kundër Korrupsionit

Zyrtarët e lartë të shtetit kanë kohë deri më 31 mars për ta deklaruar pasurinë dhe deri më tani, nga rreth pesë mijë sa janë të obliguar, e kanë deklaruar vetëm rreth gjysma e tyre.

Buleshkaj ka kërkuar nga zyrtarët publikë që ta deklarojnë pasurinë meqë në të kundërtën mund të kenë pasoja juridike.

“Është neni 430 i Kodit Penal ku mosdeklarimi në kohë apo deklarimi i rrejshëm konsiderohet vepër penale. Veç nëse ka ndonjë rrethanë lehtësuese, objektive, e cila do të mund ta përjashtonte nga ajo masë, ata automatikisht do të kalojnë në dorën e prokurorisë, që prokuroria dhe drejtësia pastaj do të merret me këto raste”, ka thënë ai.

Në Kosovë gjatë zgjedhjeve të fundit ka pasur disa raste ku zyrtarët janë privuar nga kandidimi, pikërisht për shkak të vendimeve gjyqësore dënuese për mosdeklarim apo deklarim me vonesë.

Më 16 mars të këtij viti është miratuar në parim edhe Projektligji për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave që ka shtuar si kategori për deklarim edhe mjekët dhe profesorët.