Arbëri

Modeli kroat për Asociacionin implikon ligj kushtetues

Megjithëse konsiderohet model i përshtatshëm edhe për Kosovën “vetëmenaxhimi” për serbët në Kroaci, ai implikon edhe miratimin e një ligji kushtetues. Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë ka thënë se Asociacioni serb ka një nivel më të lartë të vetëqeverisjes, i cili do të ishte më pak i dhembshëm nëse e aplikon edhe Kosova. Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (ZVO), i krijuar me Marrëveshjen e Erdutit të vitit 1995, pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore, ia kishte mundësuar Zagrebit që t’i fuste nën autoritetin e vet rajonet e kontrolluara nga serbët. Edhe tash ky mekanizëm referencë i ka Kushtetutën dhe ligjet e Kroacisë, përfshirë dokumentet dhe simbolet

Kroacia pati miratuar një ligj kushtetues për t’i akomoduar kërkesat e pakicave për “vetëmenaxhim”, përfshirë serbët. Një model të tillë e përmendi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit në Bruksel më 2 maj, ku u kundërshtua draftstatuti i ekipit menaxhues për Asociacionin, e të cilit i janë veshur edhe kompetenca ekzekutive.

Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe (Zajedničko veće opština – ZVO) i përfshin komunat me shumicë serbe në lindje të Kroacisë. Ky mekanizëm është krijuar me Marrëveshjen e Erdutit të vitit 1995, pas përfundimit të konflikteve në Sllavoninë Lindore, e cila ia mundësoi Zagrebit t’i fusë nën autoritetin e vet në mënyrë paqësore rajonet e kontrolluara nga serbët.

Deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj, e sheh të mundur aplikimin e një modeli të tillë edhe në rastin e Kosovës.

e pakicave të tjera janë shoqata që merren me kulturë, ruajtjen e identitetit e traditës së tyre, kurse Asociacionet serbe janë në një nivel më të lartë dhe është shumë e aplikueshme kjo pjesë dhe mendoj që është shumë më e padhembshme për shtetin e Kosovës nëse pranohet kjo pjesë e Asociacioneve siç është e paraparë në Ligjin kushtetues të Republikës së Kroacisë”, ka thënë Lekaj në “Interaktiv” të KTV-së.

Pas miratimit të Aktit Kushtetues për të Drejtat e Pakicave Kombëtare në vitin 2002, në Kroaci ka ndryshuar edhe struktura organizative e këshillave të pakicave kombëtare. Sipas Kushtetutës, anëtarët zgjidhen me votim të fshehtë në zgjedhjet që organizon shteti kroat për të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale.

Deputetja Lekaj shton se një model i tillë implikon edhe ndryshime kushtetuese e ligjore.

“Kroacia ka qenë shtet sovran dhe i pavarur, njëjtë është edhe Kosova. Kroacia e ka Kushtetutën, njëjtë e ka edhe Kosova. Besoj se edhe Kosova do ta ketë ligjin kushtetues për pakica, ku do të përfshihej edhe pakica serbe, pra të gjitha këto do të jenë të përshkruara dhe të mbrojtura me të drejtën kushtetuese”, ka theksuar ajo. “Mendoj se kjo patjetër duhet të bëhet. Por tash, si mund të zbatohet kjo në Kosovë nuk mund ta diskutoj, pasi që nuk jam në Kosovë dhe nuk e di si shkojnë gjërat brenda shtetit. Por duke parë situatën se si ka rrjedhë deri tani në Kroaci, mendoj se është një ndër modelet e preferueshme që mund të implementohet edhe në Kosovë”.

Kompetencat e Këshillit serb

Këshilli i Përbashkët i Komunave Serbe në Kroaci mbron dhe promovon interesat e komunitetit serb në dy qarqe kroate- Vukovar-Srem dhe Osijek-Baranja, të cilët përfaqësohen nga nëntë komuna.

Në nivel komunal, Këshilli i serbëve mund të zgjidhet nëse së paku në atë rajon jetojnë 200 pjesëtarë të komunitetit serb. Ndërkaq në nivel qarku ky numër arrin në 500.

Kuvendi është organi më i lartë i Këshillit të Komunave Serbe në të cilin bëjnë pjesë anëtarët nga radhët e komunitetit serb, pavarësisht përkatësisë së tyre partiake. Kuvendi përbëhet nga 28 anëtarë dhe kryesohet nga presidenti i këshillit. Përveç presidentit, ky mekanizëm i ka edhe nënkryetarët, sekretarin, Komisionin, komitetet dhe kryetarët e bordeve.

Sipas përshkrimit, ai është mekanizëm politik, këshillues dhe koordinues, i zgjedhur në mënyrë demokratike. Ai ka kompetenca “vetëmenaxhuese” në të drejtat civile e kombëtare të serbëve, çështjet e identitetit, kulturës, pjesëmarrjes, të cilat kanë për qëllim integrimin e tyre në shoqërinë kroate.

Në faqen zyrtare të këtij asociacioni, referencë është Kushtetuta e Republikës së Kroacisë, element ky që është shmangur nga ekipi menaxhues që draftoi statutin për serbët e Kosovës.

“ZVO është organ këshillues që monitoron dhe analizon çështjet e përgjithshme në sferën e zbatimit konsekuent të autonomisë arsimore dhe kulturore, dhe mbron të drejtat e njeriut, civile dhe të pakicave të komunitetit etnik serb në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kroacisë, ligjeve, rregulloreve. Përmes marrëveshjeve të njohura ndërkombëtarisht dhe juridikisht ai përcakton dhe rregullon ligjërisht statusin dhe pozitën e komunitetit serb në këtë fushë”, shkruan në misionin e Këshillit serb në Kroaci. Në takimet që përfaqësues të Këshillit kanë zhvilluar figuron flamuri i Kroacisë dhe Serbisë.

Propozimi i Kurtit

Termi “vetëmenaxhim” u përfshi edhe në kuadër të propozimit të Bashkimit Evropian për Kosovën e Serbinë, i cili u pasua edhe me një aneks për zbatimin e tij.

“Të dyja palët përkushtohen për arritjen e aranzhimeve specifike, në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë për provizione të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë edhe mundësinë e asistencës financiare nga Serbia dhe kanale të komunikimit direkt të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës”, thuhet në nenin 7 të propozimit evropian.

Pasi kundërshtoi draftstatutin e prezantuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, kryeministri Albin Kurti publikoi draft-vizionin për, siç ka thënë, rregulluar çështjen e komuniteteve joshumicë në Kosovë. Sipas tij, ai bazohet në Kushtetutën e Kosovës, letrën e ish-ndërmjetëses së BE-së, Federica Mogherini, që Asociacioni të jetë në përputhje me Kushtetutën, si dhe qëndrimet e SHBA-së.

“Të nxisë një projekt joterritorial, ku të gjithë serbët në Kosovë do të përfaqësoheshin funksionalisht (duke u mbështetur në të drejtën e votës dhe parimet e parapara në Kapitullin III, nenet 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës) në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin dhe mbi bazën e të cilave, të gjithë serbët në Kosovë realizojnë të drejtën e tyre për asociim të lirë për të mbrojtur apo avokuar për të drejtat dhe qëllimet politike, kombëtare, kulturore, sociale, ekonomike dhe të tjera”, thuhet mes tjerash në draftvizionin e Kurtit.

Sipas tij, ky mekanizëm do t’i njohë plotësisht karakteristikat kushtetuese të Republikës së Kosovës, sikurse respektimi i pavarësisë, sistemi unitar institucional, integriteti territorial i Republikës dhe do të kontribuojë në realizimin e plotë të saj në praktikë.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka thënë se është koha që Kosova të propozojë një draftstatut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Sipas tij, ky draftstatut duhet të jetë i mbështetur në vizionin e kryeministrit Albin Kurti dhe në përputhje me kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian.

“Këtë javë do të ketë vizitorë të rëndësishëm në Prishtinë, duke përfshirë drejtoreshën e Britanisë për Ballkanin Perëndimor. Aleatët e Kosovës duan të shohin përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ka thënë ai.

Megjithatë Bashkimi Evropian ka kërkuar që pikënisje për diskutimet e mëtejme të jetë draftstatuti i prezantuar nga Ekipi menaxhues. Ky ekip u shkarkua nga Qeveria më 3 maj, veprim i cili u kritikua nga Bashkimi Evropian.

Ndërkohë, Serbia ka kërcënuar edhe me hedhjen poshtë të të gjithë marrëveshjes së Brukselit, nëse Asociacioni nuk themelohet sipas kornizave që ka vënë ekipi menaxhues.