Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu nuk ka raportuar në Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike, raporton Ekonomia Online.
Ne vend të tij, ka raportuar zv.ministrja Linda Çavdarbasha lidhur me mbledhjen, trajtimin dhe asgjësimin e mbeturinave komerciale.
Ajo tha se te menaxhimi i mbeturinave Ministria ka formuar grup punues që të bëhet reduktimi i qeseve të plastikës deri në vitin 2022.
Sipas saj, është bërë një plan konkret për menaxhimin e mbeturinave.
“Monitorimi bëhet çdo vit. Me qëllim të menaxhimit të mbeturinave të qeseve të plastikës ministria ka formuar grup punues që të bëhet reduktimi i qeseve të plastikës deri në vitin 2022. Në vitin 2023 fillon implementimi i masave të marra nga Ministria. Duke u bazuar në raportin e ujërave nga kompania për menaxhimin e deponive sanitare të Landovicës e Gjilanit, po punohet në menaxhimin e mbeturinave. Ministria është duke punuar që deponia e Mirashit të rehabilitohet. Për impiantin e Drenasit përgjegjës e është AUV-i”, ka thënë ajo.
Deputeti Enver Halitit, paraqiti të dhënat nga raporti i auditimit për menaxhimin e mbeturinave.
Sipas tij, janë planifikuar plane, por nuk është bërë hartimi për realizimin e tyre. Madje ai tha se për kategorizimin e mbeturinave ministria kishte ndarë 7 milionë euro.
“Në Kosovë operojnë numër i madh i bizneseve që gjenerojnë mbeturina. Moskrijimi i infrastrukturës jo adekuate për menaxhimin e mbeturinave ka rezultuar me mos klasifikimin e tyre. Ministria ka hartuar planin strategjik për menaxhimin e mbeturinave për vitin 2022. Nuk ka njohuri për riinvestime të bëra nga komuna. Hartimi i strategjisë së re ka filluar në vitin 2020. Janë planifikuar plane, por nuk është bërë hartimi për realizimin e tyre. Për kategorizimin e mbeturinave ministria kishte ndarë 7 milionë euro”, ka thënë ai.
Hajdar Beqa deputeti i PDK pyeti se a ka strategji për krijimin e deponive të reja.
“Në bazë të raportit operon numër i madh i bizneseve që gjeneron mbeturina. Mungesa e klasifikimit ndikon direkt në shëndetin e njeriut. A ka strategji të krijimit të deponive të reja”, ka thënë ai.
Edhe deputeti tjetër i PDK-së, Rashit Qalaj tha se nuk ka pasur qasje serioze në trajtimin e mbeturinave.
“Deri më sot nuk kemi pasur qasje serioze në trajtimin e mbeturinave. Janë bërë investime të mëdha dhe nuk kanë përfunduar askund. Po besoj është qasje jo serioze e institucioneve tona”, ka shtuar ai.