Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Ferizajt dhe Fushë Kosovës nuk kanë arritur të krijojnë kushte për ndarjen dhe trajtimin e mbeturinave duke rrezikuar mbrojtjen e mjedisit dhe e shëndetit të njeriut.
Ky është konkluzioni që ka nxjerr Zyra Kombëtare e Auditimit bërë Ministrisë dhe këtyre dy komunave, lidhur me trajtimin e mbeturave në periudhën 2019-2020.
"Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, komuna e Ferizajt dhe Fushë Kosovës kanë hartuar plane për menaxhimin e mbeturinave, mirëpo ato nuk kanë bërë një vlerësim se deri ku kanë arritur të realizojnë këto plane. Si pasojë, nuk kanë informata se sa janë zbatuar çështjet që ndërlidhen me investime në impiante për trajtim të mbeturinave dhe për makinerinë e cila do të shërbente për ndarjen e mbeturinave në burim. Janë ndërtuar dy impiante me vlerë mbi 11 milion euro, por që vazhdojnë të mos jenë funksionale. Kjo përveç që pamundëson trajtimin e mbeturinave sipas kategorizimit të duhur, makineritë vazhdojnë të amortizohen pa u përdorur fare”, thotë raporti i ZKA-së.
Sipas auditorit, kompanitë regjionale të mbeturinave gjatë grumbullimit nuk i ndajnë mbeturinat sipas katalogut shtetëror për mbeturina dhe një gjë e tillë nuk bëhet as nga Kompania për Menaxhimin e Deponive gjatë deponimit të tyre.
“Kategorizimi i mbeturinave për biznese kundrejt atyre të amvisërive bëhet vetëm për çështje të tarifës. Kompania Regjionale për Mbeturina “Pastrimi” ka një makineri të ndarë për rastin e mbetjeve shtazore mirëpo nuk mund të gjurmohet askund se a deponohen ndarazi këto mbetje apo përfundojnë në të njëjtin vend me mbeturinat tjera” thotë raporti.
Monitorimi dhe inspektimi i menaxhimit të mbeturinave është i limituar si në nivel qendror edhe në atë komunal, nxjerr në pah auditori.
"Për dy vitet e audituara 2019-2020 janë bërë më pak se 20 inspektime nga Kompanitë Regjionale të Mbeturinave të audituara dhe Deponia Sanitare përderisa për ndarjen mbeturinave nuk është bërë asnjë inspektim. Mbrojtja e mjedisit është e rrezikuar pasi që deponitë sanitare dhe stacionet e transferit vazhdojnë të mos kenë leje të integruara. Edhe pse procesi i marrjes së lejes së integruar ka filluar nga vitit 2012 e cila lëshohet nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, ky proces deri në prill të vitit 2021 nuk ka përfunduar dhe që tregon se deponitë sanitare dhe stacionet e transferit vazhdojnë të deponojnë mbeturina pa i plotësuar kushtet për të mbrojtur tokën, ujin dhe ajrin” thuhet më tutje auditim.
Ndarja e mbeturinave në nivel vendi sipas ZKA-së nuk bëhet nga burimi dhe si rrjedhojë ato dërgohen të pa kategorizuara në deponi duke përfunduar pa ndonjë klasifikim.
“Për kategorizimin e mbeturinave në vitin 2018, MMPHI-ja kishte ndarë 7 milion euro duke synuar ndërtimin e dy impianteve, një në Suharekë dhe tjetrin në Mitrovicë Jugore. Në rastin e Suharekës ky aktivitet ka dështuar në proces të prokurimit. Kurse, në Mitrovicë Jugore projekti është finalizuar në fund të vitit 2019. Projekti i ndërtimit të impiantit në Mitrovicën Jugore ka kushtuar rreth 3.5 milion euro. Sipas marrëveshjes së MMPHI-së me komunat përkatëse, pas ndërtimit, objekti do të bartet në pronësi të komunës. Edhe pse pranimi teknik i impiantit është bërë në fund të vitit 2019 dhe aktualisht është i gatshëm për të hyrë në funksion, komuna për më shumë se një vit e gjysmë vazhdon ta mbajë të mbyllur këtë objekt. Impianti në Mitrovicë sipas zyrtarëve përgjegjës nuk është aktivizuar për shkak se nuk ka arritur të miratohet në Kuvendin Komunal edhe pse bazuar në dëshmitë e ofruara dy herë është propozuar për rend dite” thotë më tutje raporti.
Sipas auditorit, Komuna e Ferizajt në planin e saj 2016-2021 kishte paraparë furnizimin me makineri për grumbullimin e mbeturinave mirëpo deri në korrik të vitit 2020 nuk ka pas ndonjë aktivitet të tillë, ku në këtë muaj është bërë një marrëveshje në mes të komunës, donatorëve dhe KRM “Pastërtia” për blerjen e tre makinerive të përdorura për mbledhjen dhe transportin e mbeturinave.
Duke marrë parasysh se komuna e Ferizajt ka më shumë se 100 mijë banorë si dhe ajo e Fushë Kosovës mbi 37 mijë dhe me numër të madh të bizneseve aktive, sipas ZKA-së ky numër i makinerisë vështirëson procesin e grumbullimit të mbeturinave sipas kërkesave për kategorizim dhe klasifikim.
“Kjo pasi që, grumbullimi duhet të bëhet në mënyrë të ndarë dhe me plan. Kjo ka ndodhur për shkak se nuk është trajtuar në mënyrë serioze plani për furnizimin me makineri për grumbullimin e mbeturinave në vlerën prej 25 milion euro të parapara në Strategjinë për menaxhimin e mbeturinave, të hartuar nga MMPHI-ja 2013-2022, por as nuk ka ndonjë vlerësim se pse kjo nuk është realizuar. Në mungesë të investimeve, trajtimi i mbeturinave nga burimi mund të vështirësohet pasi që ato nuk mund të klasifikohen dhe trajtohen ato nga burimi apo nga krijimi i tyre” thotë raporti.
Auditimi më tutje vë në pah se komunat nuk raportojnë ndarazi për llojet e mbeturinave edhe pse ajo kërkohet nga katalogu për mbeturina.
“Mos raportimi ndaras ndodhë për shkak se nuk ka kategorizim dhe klasifikim të mbeturinave edhe pse në rastin e komunës së Ferizajt, KRM “Pastërtia” ka një marrëveshje me një kompani për deponimin e mbetjeve shtazore dhe qelqit. Kompania e faturon në mënyrë specifike për mbetje shtazore dhe qelq KRM-në “Pastërtia” në baza mujore për grumbullimin e mbeturinave, megjithatë raportimi për këto mbeturina nuk bëhet ndaras, por siç e kemi prezantuar në grafikun më lartë prezantohen si mbeturina të përziera”, thotë tutje ZKA.