Një mjet i pashpërthyer është gjetur nga një qytetar në rrugën “Dëshmorët e Ponoshecit” në Prishtinë, në afërsi të Kazermës “Adem Jashari”.
Lajmin e ka konfirmuar për KOHËN, zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha, porse ka bërë thirrje te qytetarët të mos bëhet panik.
Sipas policisë, qytetari i cili ka hasur në këtë mjet të pashpërthyer e ka marrë dhe e ka dërguar te FSK-ja.
“Është raportuar se një qytetar derisa ishte duke punuar në kopshtin e tij në rrugën “Dëshmorët e Ponoshecit” në Prishtinë, dyshohet të ketë hasur në një mjet të dyshimtë, dhe i njëjti e ka marr mjetin dhe me automjetin e tij (në bagazh të automjetit) e ka dërguar me qëllim për ta dorëzuar tek Forca e Sigurisë së Kosovës. Janë informuar të gjitha njësitet relevante dhe Policia është në vendin e ngjarjes”, tha Hoxha.
Zëdhënësi i PK-së, tutje shtoi se rasti po trajtohet nga kompetentet dhe nuk ka arsye për shkaktim të ndonjë forme të panikut apo shqetësim për qytetarët.
Hoxha gjithashtu ka bërë thirrje në emër të Policisë së Kosovës tek qytetarët, që në rast se ballafaqohen me incidente të tilla, mos t’i prekin mjetet e dyshimta që shfaqin rreziqe por të lajmërojnë policinë.
“Kërkojmë dhe inkurajojmë të gjithë qytetarët që në rastet e tilla kur hasin mjete të dyshimta mos të rrezikojnë jetën e tyre dhe të tjerëve duke prekur apo transportuar mjetet e tilla, por sapo të hasin në ndonjë mjet të dyshimtë menjëherë të lajmërojnë Policinë e Kosovës”, përfundoi Hoxha.