Katastrofë humanitare kanë paralajmëruar mjekët serbë të veriut për shkak të vënies së taksës nga Qeveria e Kosovës.
Të premten ata kanë protestuar në oborrin e spitalit, në veri të Mitrovicës, duke e kundërshtuar këtë taksë.
Danica Radomiroviq, drejtoreshë e Qendrës Klinike në Veri të Mitrovicës, ka thënë se “nëse ky vendim i paarsyeshëm vazhdon të mbetet në fuqi, mungesa e ilaçeve dhe materialit sanitar, mungesa e oksigjenit, do ta rrezikojnë punën e institucioneve shëndetësore, ambulantave, spitaleve deri në atë masë sa gjendja është pothuajse kritike dhe paralajmëron katastrofë humanitare”.
Ndërsa, drejtori i spitalit në veri të Mitrovicës, Millan Ivanoviq, tha se situata aktuale e serbëve është jashtëzakonisht e vështirë.
Sipas tij, Prishtina po tenton t’i destabilizojë serbët, në mënyrë që të ikin dhe ta braktisin Kosovën.
Edhe
Protesta e punëtorët shëndetësorë në veri, paralajmërojnë katastrofë humanitare
“Masat ekonomike tani janë kombinuar edhe me arrestime të serbëve, nënave dhe shoqeve më të ngushta të Oliver Ivanoviqit, me akuza të rrejshme… Sikur ne nuk e dimë kush i ka vrarë mijëra serbë. Mos vallë serbët i kanë vrarë e kidnapuar ata. Janë të njëjtit që po ushtrojnë sot dhunë ndaj serbëve ata të cilët janë në plan të parë, në mënyrë që t’i destabilizojnë serbët, që t’i detyrojnë të jenë të dëgjueshëm, përkatësisht që të ikin. Gjërat janë të qarta… Nuk po na lejojnë të transportojmë ilaçe, material sanitar dhe oksigjen…Duan që ne të shkruajmë Kosova Republikë në këto barëra”, ka thënë Ivanoviq.
Protesta e sotme, e cila zgjati rreth një orë, ishte e qetë, ndërsa përveç prezencës së kryetarëve në dorëheqje dhe disa deputetëve serbë të Parlamentit të Kosovës, ishin ftuar edhe disa nga ish-futbollistët e njohur nga Beogradi.