Arbëri

Mjegullohet privatizimi i Telekomit

Nuk ka mundur të dërgohet në Kuvend procesi i nisjes së privatizimit të Telekomit, pasi që nuk ka pasur vota për këtë në Komisionin për Zhvillim Ekonomik.

Në mbledhje është thënë se Telekomi i Kosovës, në mënyrë të jashtëligjshme, i ka lejuar qasje në “dataroom”, një kompanie që ka shprehur interesim për privatizimin e kompanisë.

Ministri i Zhvillimit Ekomomik, Valdrin Lluka, ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni për një marrëveshje të tillë konfidencialiteti, ndërmjet “Artillery One” dhe Telekomit, kurse për të ishte njoftuar vetëm nga mediat, raporton KTV.

Ai ka thënë se ky është veprim i jashtëligjshëm, sepse një proces i tillë, sipas Llukës, s’duhet të ndodhë pa u themeluar një komision që merret me të gjitha procedurat e privatizimit, edhe pse në një revistë amerikane për teknologji, pronarët e “Artillery One” kishin deklaruar se kishin nënshkruar një marrëveshje konfidencialiteti me Qeverinë e Kosovës.

Deklarimi i tij erdhi pas shqetësimeve të ngritura nga deputetët në komision. Deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, ka deklaruar se njëri nga aksionarët e kësaj kompanie është në listën e zezë të bizneseve në Amerikë.

Njëri nga aksionarët e kësaj kompanie, është ish-sekretari i Brendshëm i Donald Trumpit, Ryan Zinke, i cili për mediat zvicerane kishte deklaruar se kishte hequr dorë nga politika për shkak se gjatë karrierës së tij politike, 10 herë u ishte nënshtruar hetimeve.

Ai për gazetën “Swiswinfo.ch” kishte bërë të ditur se Kosova nuk ishte vend i panjohur për të, pasi aty ka qenë edhe më 1999 me forcat speciale të marinës amerikane.


“Nuk kam qenë në Kosovë që nga koha kur e kisha të veshur uniformën e Marinës Amerikane. Është shembull i mirë për një ekonomi në zhvillim ku mjetet financiare dhe siguria kibernetike mund të kombinohen për të pasur ndikim të kuptueshëm. Marrë parasysh vlerën e teknologjisë në mjedise të kontrolluara të një shteti të vogël, është jashtëzakonisht e rëndësishme.”

Lluka, për këtë çështje është pyetur edhe në mbledhjen e Qeverisë. Por, Qeveria, ka vendosur të mos jetë transparente në këtë çështje duke i ndalur mikrofonat.

Sidoqoftë, Lluka ka konfirmuar se deri tash përveç “Artillery One”, janë edhe tri kompani të tjera të interesuara për privatizimin e Telekomit: “A1” e Austrisë, “Rock Way Capital PFF Group” dhe “Orange”.

Ai ka theksuar se paralelisht me procesin e ristrukturimit që do të udhëhiqet nga Banka Evropiane për Zhvillim, do të shkohet me privatizimin, por që, sipas tij, nuk ka kufizime nëse do të privatizohet plotësisht apo pjesërisht.

Sa i përket punësimeve të fundit, ka thënë se ato janë në kontratë mbi vepër.

Sipas Llukës, numri i punëtorëve në Telekom ka arritur në 2500.