Arbëri

Mishetiq: Prokuroria po na cakton kushte që s’i ka zbatuar asnjëherë vetë

Luka Mishetiq

Luka Mishetiq

Avokati i ish-presidentit Hashim Thaçi, Luka Mishetiq gjatë konferencës së sotme mbi ecurinë e çështjes në këtë rast, ka kritikuar ashpër Prokurorinë e Speciales.

Në një rast, ai i tha prokurorit Matt Halling që po i vendos kushte mbrojtjes të cilat asnjëherë nuk i ka zbatuar vetë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Gjithë paraditen Prokuroria na ka caktuar kushte që vetë nuk i ka zbatuar asnjëherë sa i përket Rregullës 107. Prandaj, nuk po e kuptoj këtë vendosjen e kushteve prej tyre. Iu thash edhe njëherë se nëse do të kemi nevojë që të na ndihmoni ju, do e bëjmë kërkesën përkatëse përpara 18 gushtit”, ka thënë Mishetiq.

Kjo kishte të bënte më shumë për parashtrimet e prokurorit Matt Halling lidhur me pyetjet e gjyqtarëve ndaj mbrojtjes për dëshmitarët sipas Rregullës 107, për të cilët kërkohet autorizim.

Prokurori Halling tha se duke marrë parasysh parashtrimet, nuk mund të merren shumë informacione lidhur me aspektet e Rregullës 107, por që trupi gjykues mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Ne propozojmë fuqimisht që trupi gjykues të marri parashtrime ex-parte prej ekipeve të mbrojtjes se cilat janë kufizimet dhe çfarë propozojnë”, tha Halling.

Mishetiq tha se do të bëjnë të pamundurën që t’i thërrasin këta dëshmitarë, me arsyetimin se kanë dëshmi të vlefshme. Tha se nëse nuk funksionon plani i tyre, do i bëjnë kërkesë trupit gjykues që këta dëshmitarë t’i sjellin për të dëshmuar.

Mbrojtja e Hashim Thaçit dhe ajo e Jakup Krasniqit kanë njoftuar që si pjesë e paraqitjes së provave të tyre, synojnë t’i thërrasin 17 dëshmitarë. 12 do të jenë të mbrojtjes së Thaçit, ndërsa pesë të mbrojtjes së Krasniqit.

Seancat e radhës do të mbahen pas pushimit të verës e që parashihet mbajtja e konferencës përgatitore për paraqitjen e provave të mbrojtjes.


Mbrojtja: ZPS nuk u trajtua si ne për nxjerrjen e provave, s’jemi në gjendje të fillojmë më 25 gusht

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, mbrojtja e ish-Presidentit Hashim Thaçi dhe ajo e Jakup Krasniqit kanë thënë se nuk do të jenë në gjendje që t’i paraqesin provat e tyre më 25 gusht 2025 ashtu siç është vendosur, pasi që iu duhet më shumë kohë. Mbrojtja pretendoi se tek çështja e paraqitjes së provave, nuk janë trajtuar njësoj sikurse Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS).

“Parashtrojmë që ne nuk jemi në gjendje që të fillojmë me provat për klientin tonë për 25 gusht 2025 dhe arsyet për këtë do t’ua jap më vonë”, tha avokati i Jakup Krasniqit, Aiden Ellis, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Në konferencën për ecurinë e çështjes, të martën, fillimisht avokati i Thaçit, Luka Mishetiq foli edhe për konferencën javore të mbajtur në janar të këtij viti, në të cilën ekipet e mbrojtjes së bashku kishin kërkuar dhjetë javë afat nga vendimi për mocionin sipas Rregullës 130, për t’u përgatitur për çështjen e tyre. Madje, sipas Mishetiq ky dhjetë-javësh ishte duke mos e llogaritur edhe pushimin e verës.

Mishetiq tha se edhe në konferencën e radhës që ishte mbajtur në shkurt të 2025-ës, mbrojtja e Veselit e përfaqësuar nga Rodney Dixson kishte kërkuar nga trupi gjykues të informohen nëse ishin të përshtatshme afatet e propozuara nga ata për paraqitjen e provave të tyre. Tha se trupi gjykues kishte thënë se në përgjithësi, këto afate ishin të pranueshme.

Mishetiq tha se ne ditët pasuese, trupi gjykues nuk ka dhënë asnjë njoftim, por ka ndryshuar qëndrimin e tij, duke përcaktuar afate për parashtrimin e provave të mbrojtjes- siç ishte ofrimi i listës së dëshmitarëve dhe provave materiale më 21 korrik 2025, si dhe ka përcaktuar datën për konferencën për përgatitjen e mbrojtjes për pjesën tjetër të gjykimit.

ZPS-ja kishte kërkuar ndryshim të afateve, por mbrojtja e kishte kundërshtuar. Mishetiq tha se kundërshtimi i mbrojtjes ishte rrëzuar përveç datës për konferencën përgatitore të mbrojtjes.

Mishetiq shtoi që sipas këtij urdhri, Thaçi si i akuzuari i parë në aktakuzë, është urdhëruar që të jetë gati t’i paraqes provat e veta nga 25 gushti 2025. Pra, sipas avokatit, çështja e mbrojtjes e cila ishte planifikuar që të fillonte më 15 tetor, të fillojë më 25 gusht 2025.

“E gjithë kjo është bërë pa asnjë lloj njoftimi nga shkurti deri në qershor, duke mos marrë fare parasysh vështirësitë që ka mbrojtja për përmbushjen e afateve përkatëse”, tha Mishetiq.

Mishetiq tha se trupi gjykues e ka ulur kohën për përgatitjen e mbrojtjes nga dhjetë në dy javë.

“Kjo ka krijuar shumë barrë të shtuar dhe vështirësi për ekipin tim i cili ka punuar dhe vazhdon të punojë rreh 12 orë në ditë në mënyrë të tillë që të mundohet të respektojë afatet përkatëse. Ne nuk jemi në dijeni në qoftë se trupi gjykues apo gjykatësi i procedurës paraprake e ka trajtuar ZPS-në në një mënyrë të tillë që ka vendosur afate për nxjerrjen e dokumenteve ose për fillimin e provave të ZPS-së, a ia dhënë ZPS-së mundësinë që të dëgjohet”, tha Mishetiq.

Ai tha se këto afate të vendosura për ata kanë shkaktuar shumë vështirësi në përgatitjen e ekipeve të mbrojtjes.

“Këto janë afate që kanë shkaktuar shumë vështirësi për përgatitjen e ekipeve të mbrojtjes dhe sikurse e kemi diskutuar edhe më herët ne duam që të na jepet mundësia që të shpjegohet se pse nuk na u është miratuar e drejta jonë për të pasur afatet kohore përkatëse”, tha Mishetiq.

Mbrojtja e Jakup Krasniqit e përfaqësuar nga Aiden Ellis iu bashkua parashtrimeve.

Prokurori Matt Halling tha se diskutimet për kërkesat që mbrojtja të përgatit çështjen e vet për dhjetë javë, duhet të tejkalohen.

Ndërsa, gjyqtari Guénaël Mettraux i tha mbrojtjes se në seancën e 1 tetorit 2024 kanë thënë se atyre iu duhen katër deri në gjashtë javë që të përgatiten për t’i paraqitur provat e tyre.

Mettraux tha se koha për përgatitjen e çështjes së mbrojtjes parashihet që të jetë dhjetë ditë në përputhje me Rregullën 130 pas nxjerrjes së vendimit mbi kërkesën sipas kësaj Rregulle. Tha se me kërkesë të mbrojtjes, u zgjat kjo periudhë kohore, duke iu dhënë gjashtë herë më shumë kohë se sa që është parashikuar në rregullore.

Në seancë prezent janë në sallë Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi. Ndërsa, Jakup Krasniqi është i pranishëm përmes video-lidhjes, duke përfshirë edhe një avokate të Veselit dhe atë të Krasniqit.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130 e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë me 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore.

Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan me 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitarëve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi