Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse.
Kryeministri Albin Kurti në prezantim të pikës së rendit të ditës në mbledhjen e Qeverisë, ka thënë se ky program synon të ndërtojë qëndruehsmëri kombëtare në mënyrë që shoqëria të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbet në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura.
“Bazuar në programin tonë qeverisës, ndryshimeve në ambientin strategjik të sigurisë dhe me qëllim të forcimit të sistemit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, Ministria e Mbrojtjes ka hartuar programin kombëtar për mbrojtjen gjithëpërfshirëse. Mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit nga kërcënimet e jashtme dhe të brendshme konvencionale dhe jokonvencionale dhe ruajtja e jetës dhe pasurisë së qytetarëve në raste të fatkeqësisë natyrore janë interesa jetike të Republikës së Kosovës.
Kurti ka thënë se programi është hartuar bazuar në sisteme të ngjashme që aplikohen në vende të ndryshme të NATO-s.
“Ky program synon të ndërtojë qëndrueshmëri kombëtare në vendin tonë në mënyrë që shoqëria jonë të përgatitet të rezistojë, reagojë e të rimëkëmbët në raste të fatkeqësive natyrore a sulmeve të armatosura. Sistemi ka në thelb mbështetjen që qytetarët ia japin në baza vullnetare ushtrisë sonë, FSK-së, por edhe të kombinuar me strukturat tjera shtetërore”, ka thënë Kurti.
E ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se programi është hartuar mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike të ministrisë që ai udhëheq.
Sipas tij ky program është mbështetur në shtatë shtylla: Funksionimin shtetëror në raste krizash, organizimin shtetëror për mbrojtjen e vendit, mbajtjen e funksioneve vitale dhe shërbimeve esenciale të shtetit, qëndrueshmërinë shtetërore, qëndrueshmërinë e furnizimeve shtetërore, mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe edukimin e të rinjve dhe të rejave.
Sipas tij, ky sistem nuk ndërhyn në zhvillimin e FSK-së, por mundëson që qytetarët vullnetarisht të kenë rolin e tyre në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë.
“Përderisa Forcën e Sigurisë po e ndërtojmë dhe zhvillojmë në përputhje me planin gjithëpërfshirës të tranzicionit, me programin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse po vendosim bazën për përgatitjen e qytetarëve dhe institucioneve për rolin e tyre në sistemin mbrojtës, për mbrojtjen e hapësirës së informacionit dhe dezinformatave dashakeqe, për të siguruar vijimësimin e funksionimit të furnizimeve dhe shërbimeve esenciale në situata krize dhe për të punuar në funksionalizimin e strehimoreve kolektive dhe aktivitete të tjera”, ka thënë Maqedonci.
Ai e ka vlerësuar këtë program si të rëndësisë së veçantë.
Në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, Maqedonci ka thënë se miratimi i programit nuk është përgjigje ndaj ndonjë kërcënimi specifik.