Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, ka deklaruar se Komisioni Evropian ka vlerësuar se Kosova ka bërë progres në ndjekjen e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Sipas saj, njohja e këtij progresi është shumë e rëndësishme në procesin e liberalizimit të vizave, ndërsa ka thënë se pret vlerësim të tillë dhe njohje të progresit edhe në kushtin e luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Hoxha ka thënë se raporti ka vlerësuar se institucionet e Kosovës kanë arritur progres në fushën e kritereve ekonomike, si dhe në përgjithësi sa i përket harmonizimit të legjislacionit e standardet e BE-së.
“Komisioni Evropian ka potencuar se institucionet e Kosovës kanë bërë progres në ndjekjen e rasteve të profilit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Po ashtu, është theksuar se ka progres edhe në konfiskimin preliminar të aseteve. Njohja e këtij progresi është shumë e rëndësishme edhe për procesin e liberalizimit të vizave edhe pse raporti i vendit nuk është raport që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave. Ne presim vlerësim të tillë pra dhe njohje të progresit në kushtin e luftimit të krimit dhe korrupsionit apo saktësisht në rastet e shenjëzuara edhe ditëve në vijim nga Komisioni Evropian për mekanizmin e rasteve të shenjëzuara. Raporti gjithashtu ka ritheksuar rëndësinë e vazhdimit të dialogut me Serbin duke konfirmuar se Kosova ka vazhduar të jetë pjesë e dialogut”, tha ministrja Hoxha.
Po ashtu, ajo tha se progres është vlerësuar gjithashtu edhe lufta kundër terrorizmit, përfshi zbatimin e masave për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, radikalizmin dhe parandalimin e qytetarëve për të ju bashkuar konflikteve në vendet e treta.
Edhe
Ministrja Hoxha: Raporti vlerëson arritjet e Kosovës, të intensifikojmë angazhimin në rrugën integruese
Gjithashtu, raporti sipas ministres Hoxha thekson se në Kosovë ka mjedis pluralistik dhe dinamik të mediave, si dhe rezultate shumë të mira në fushën e zhvillimit ekonomik. Po ashtu ajo tha se është përmirësuar mjedisi i të bërit biznes dhe Qeveria ka respektuar rregullën fiskal për deficitin buxhetor.
Eksporti ka shënuar rritje të ndjeshme dhe është shënuar progres në lirinë e lëvizjes së mallrave dhe shërbimeve të takimit, doganave, prokurimit publik, të bërit biznes dhe konkurrencës.
E para e Ministrisë së Integrimeve tha se ky raport për vendin duhet të shërbejë si dokument orientues dhe udhërrëfyes për punën e institucioneve të vendit. Ndërkohë ka potencuar se përveç njohjes së progresit duhet të fokusohen në sfidat që ka nënvizuar ky raport, raporton ksp.
“Sigurisht, se përveç njohjes së progresit ne duhet të fokusohemi edhe sfidat që ka nënvizuar ky raport. Konsideroj se disa nga sfidat që janë potencuar në raport dhe ku institucionet duhet të fokusohen më shumë është në fuqizimin e zbatimit të ligjeve, implementimin e reformës së administratës publike, si dhe avancimin e politikave të punësimit dhe arsimit. Gjithashtu, vëmendje e veçantë duhet kushtuar vazhdimësisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe duhet rritur shkalla e konfiskimit të aseteve. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të vazhdojë gjatë gjithë kohës, pra edhe kur hyjmë në Bashkimin Evropian në duhet ta vazhdojmë këtë luftë”, tha Hoxha.
Ministrja Hoxha përmendi edhe një sfidë tjetër që është përmendur në raport e që është polarizimi i partive politike që sipas raportit thuhet se ka ndikuar negativisht në qeverisjen efektive.
“Siç e dini tashmë disa herë kam insistuar në krijimin e një konsensusi nacional për reforma dhe proceset që janë pjesë e rrugës sonë drejt integrimit. Të gjitha partitë politike pa dallim duhet ta kuptojnë se synimi jonë integrues drejt familjes evropiane është emëruesi ynë i përbashkët. Ne nuk duhet të lejojmë që në raportin për vendin të cilin e harton Komisioni Evropian të ceken gjëra si sjelljet bllokuese dhe gazi lotsjellës i hedhur nga deputetët si pengesë për punën e legjislativit. Pas publikimit të këtij raporti është shumë e rëndësishme që për qytetarët e vendit hapat të do të ndërmarrim për t’i adresuar sfidat e përmendura në raport. Si ministre e Integrimit Evropian do të angazhohem maksimalisht që të gjitha institucionet të intensifikojnë punën për të adresuar sfidat e evidentuara në Raportin për Vendin”, tha Hoxha.
Edhe
Von Cramon: Raporti cek qartë se ka pasur hapa pozitiv në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Ajo bëri të ditur se ditëve në vijim në koordinim me kryeministrin e vendit do të propozojnë një mënyrë për adresimin e këtyre sfidave dhe përshpejtimin e reformave që kërkohen në fushat e lartpërmendura.
Ministrja Hoxha potencoi se ky raport nuk do të mbetet vetëm një dokument, por do të jetë udhërrëfyes i institucioneve në përpjekje e përbashkëta për avancimin drejt integrimit në familjen evropiane.