Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministrja e Shqipërisë: Kurseni naftën, mos e përdorni veturën për të blerë cigare

Thirrjet e Qeverisë së Kosovës për ta kursyer energjinë elektrike nëpërmjet heqjes së “joystickave” nga priza, patën nxitur reagime të shumta gjatë dhjetorit të 2021-tës. Megjithatë, pos krizës së energjisë, vendi dhe rajoni kanë shënuar rritje të çmimit të derivateve javëve të fundit, përfshirë edhe Shqipërinë. Për kursim të naftës gjatë krizës, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës së Shqipërisë, Belinda Balluku, ka bërë një deklaratë që ka nxitur shumë reagime.

Ajo tha se qytetarët nuk duhet ta përdorin veturën për të blerë bukë apo cigare. Rrugën deri në dyqan, sipas saj, duhet ta bëjnë në këmbë.

“Nuk do të ketë kufizime. Por ajo që duhet pasur parasysh është që çmimi është një hall shumë i madh. Sot po mbahet në kurriz nga qeveria shqiptare, nuk po e ndjen familjari. Prandaj po diskutojmë si të ulim çmimin e naftës, ka dhe një mundësi tjetër. Të konsumojmë më pak naftë, të mos dalim me makinë për të blerë cigare apo bukë tek cepi i rrugës por të ecim në këmbë. Kështu ndodh kur rriten çmimet duke qenë se është produkt që tregtohet nga privatët”, ka deklaruar Balluku.