Arbëri

Ministria thotë se s’ka rol në përcaktimin e çmimit të teksteve shkollore

libra

Foto: Driton Paçarada

Ministria e Arsimit në një reagim ka mohuar se ka përgjegjësi në përcaktimin e çmimit të teksteve shkollore dhe ka paralajmëruar se “çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet” nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut dhe në Autoriteti i Konkurrencës.

KOHA të hënën ka raportuar se shtëpitë botuese i kanë rritur çmimet e teksteve shkollore që i kanë botuar vjet e parvjet.

Në disa tekste që i ka siguruar KOHA, vërehet rritje e çmimit deri në gati 50 për qind. 

Në disa prej librave të klasës së dytë, të botuar në vitin 2023, në pjesën e pasme shihen nga dy letra ngjitëse, ku është shënuar çmimi. Ai i Edukatës Fizike ka kushtuar 2.50 euro, sipas letërngjitëses së parë, kurse i Matematikës 3 euro. E në letërngjitëset e vëna sipër të vjetrave, çmimi është për 1 euro më i lartë.

Ndërkohë në tekstet e botuara në vitin 2025 nuk ka letërngjitëse me çmime.

Ministria ka njoftuar se “ këto shqetësime tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (në kuadër të MINT) dhe në Autoritetin e Konkurrencës”.

“Sa i përket ndryshimeve të çmimeve të paraqitura në kopertinat e teksteve shkollore, sqarojmë se MAShTI nuk ka pasur rol në përcaktimin e tyre, pasi nuk ka pasur proces tenderimi dhe rrjedhimisht as negocim të çmimeve. Këto shqetësime tashmë janë adresuar në Inspektoratin Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut (në kuadër të MINT) dhe në Autoritetin e Konkurrencës”, thuhet në reagim.

“Çdo tendencë për manipulim apo përfitim të paligjshëm nga shtëpitë botuese do të trajtohet nga këto organe përkatëse, duke u ndërmarrë masat e nevojshme në kuadër të legjislacionit në fuqi”, thuhet tutje në reagim.