Zhvillimi i lëndës “Edukimi për Siguri” që ka për qëllim edukimin i gjimnazistëve në fushën e sigurisë, ende nuk ka filluar të realizohet, me gjithë zotimin të Ministrisë së Arsimit se nga shtatori do të fillojë ligjërimi në institucionet arsimore. Futja e kësaj lënde në kurrikulën shkollore është parë e domosdoshme për nxitjen e të rinjve për përfshirje më të madhe në institucionet e mbrojtjes
Për mënyrën se si funksionon Forca e Sigurisë së Kosovës dhe si shkon përgatitja për reagim në emergjenca civile, ishte paraparë që të ligjërohej nga shtatori në shkollat e nivelit të mesëm të lartë.
Një gjë e tillë nuk ka filluar me gjithë zotimin e Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Mbrojtjes se “Edukimi për Siguri” do të jetë lëndë zgjedhore për të gjithë gjimnazistët.
E nxënësit e kanë vlerësuar si të nevojshme futjen e kësaj lënde në kurrikulë.
“Unë mendojë që kish me qenë shumë ma mirë të kemi një lëndë kështu që mësojmë për FSK-në, se ndoshta kur të rritemi mundemi me iu bashkëngjitë FSK-së, që të ushtrojmë. Por kish qenë më mirë që të na mësojnë prej tash, të kemi ndonjë lëndë për siguri”, ka thënë Enes Bici, nxënës në SHML “Hoxhë Kadri Prishtina”.
“Kish qenë mirë të mësojmë për taktikat që me ditë me u siguru edhe vetë dhe jo me i thirr institucionet e tjera për të na mbrojtur neve”, ka shtuar nxënësja Melika Kutllovci.
Nxënësi Veton Ademi po ashtu ka dëshirë të mësojë për FSK-në dhe Policinë.
“Kam qejf të mësojë për Forcat e Sigurisë së Kosovës, Njësinë Speciale të Kosovës, Policinë e Kosovës, kam qejf me ditë se si funksionojnë armatimet, t’i vizitojë kazermat”, ka deklaruar Ademi.
Në Ministri të Arsimit kanë thënë se “Edukimi për Siguri” është përfshirë në listën e propozimeve për lëndë zgjedhore, por tek vitin e ardhshëm shkollat do ta kenë mundësinë ta përzgjedhin.
“’Edukimi për Siguri’, është vendosur tek Lista e propozimeve për lëndë zgjedhore, dhe është përcjellë në Drejtoritë Komunale për Arsim. Sipas nenit 13, të UA-11/2023 për kurrikulën me zgjedhje në arsimin parauniveristar, Këshillat e klasave propozojnë lëndët me zgjedhje deri në fund të muajit prill të vitit paraprak shkollor”. Meqenëse, Udhëzimi Administrativ është aprovuar me 22.05.2023, shumica e komunave veçse kanë përzgjedhur lëndët zgjedhore më herët bazuar në UA-32/2013 para se të hyjë në fuqi Udhëzimi Administrativ i ri, rrjedhimisht përzgjedhja si lëndë zgjedhore e lëndës ‘’Edukim për Siguri’’ nga Këshillat e klasave mund të bëhet nga viti i ardhshëm shkollor. Sa u përket ligjëruesve dhe trajnerëve të FSK-së të cilët do të trajtojnë tema të caktuara, gjithçka është gati”, thuhet më përgjigjen e ministrisë.
Kjo lëndë është zhvilluar në institucionet arsimore para luftës së fundit në Kosovë.
E drejtori për siguri në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare, Bedri Elezi tha se kthimi i kësaj lënde nxit dëshirën e të rinjve për përfshirje në FSK.
“Një profesor i mirë i cili do të arrinte të shpjegonte një të riu, një nxënës të shkollës mesme se çfarë janë institucionet e sigurisë, do të motivonte nxënësit në mënyrë të drejtpërdrejtë që nxënësit të jenë pjesë e kësaj strukture, që në vendet e ndryshme ku ka një kulturë apo përvojë të jashtëzakonshme në këtë aspekt, shumica e nxënësve motivohen në shkollë të mesme dhe pastaj bëhen pjesë e akademisë policore e ushtarake”, ka deklaruar Elezi.
Vetëvendosja, që qeveris me vendin, ishte zotuar se me të marrë pushtetin, do ta bëjë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, por kjo nuk ka ndodhur deri tash.