Ndryshimet demografike, sipas njohësve të arsimit, nuk janë duke u marrë parasysh nga institucionet në planifikimin e ndërtimit të objekteve të reja shkollore. Për Shkollën Fillore në Pononshec të Gjakovës, e cila numëron vetëm 131 nxënës, ka nisur të ndërtohet një objekt i ri me vlerë 1.2 milionë euro, edhe pse në këtë fshat ndodhet një objekt i lirë, i cili më herët shfrytëzohej nga gjimnazi
Plot 1.2 milionë euro do t’i kushtojë buxhetit të shtetit ndërtimi i një shkolle që numëron vetëm 131 nxënës.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) ka nisur ndërtimin e objektit të shkollës fillore “Ganimete Tërbeshi” në fshatin Ponoshec të Gjakovës, ndonëse sipas udhëzimit administrativ të vetë MASHTI-t për planifikimet e investimeve kapitale, një ndër kriteret për nisjen e një objekti të ri është eliminimi i mbingarkesave të nxënësve në klasa. E, një klasë në këtë shkollë numëron 10 deri 16 nxënës, më pak se që parashihet të ketë një klasë.
“Kriteri i hapësirave të pamjaftueshme: Eliminimi i mësimit në tri ndërresa, numri i madh i nxënësve në klasë (klasa të mbingarkuara), mungesa e hapësirave sportive dhe atyre të përgjithshme, mungesa e laboratorëve dhe punëtorive”, thuhet në Udhëzim, në pikën ku flitet për kriteret.
Objekti i ri i shkollës “Ganimete Tërbeshi” pritet të përfundojë në vitin 2025. Përderisa nxënësit janë në pritje të ndërtimit të objektit të ri i, ata procesin mësimor po e zhvillojnë në objektin e ish-gjimnazit, i cili është mbyllur para disa vjetësh për shkak të rënies së numrit të nxënësve. Sipas banorëve, rënia e numrit të nxënësve është për shkak të migrimit në shtetet perëndimore, si dhe rënies së numrit të lindjeve.
Stafi i shkollës ka thënë se në hapësirat e gjimnazit janë zhvendosur para tri jave, meqenëse objekti ku kanë qëndruar është rrënuar për t’u ndërtuar i riu.
Mësimdhënësi Valdet Sadriaj ka thënë se objekti ku janë duke qëndruar është furnizuar me inventar, e priten të bëhen edhe disa rinovime.
“Është java e tretë që punojmë në këtë objekt, është objekt i shkollës së mesme, tash kanë filluar të përmirësohen kushtet, kushtet sanitare veç janë përmirësuar, tash do të fillojë edhe lyerja e objektit dhe do të funksionojë gjithçka në rregull”, ka thënë ai.
Megjithëkëtë, Sadriaj e vlerëson të nevojshëm ndërtimin e shkollës së re, pasi shpreson që objekti i gjimnazit të kthehet në shkollë të mesme të mjekësisë.
“Ne mendojmë që kjo shkollë të funksionalizohet si shkollë e mesme, ndërsa objekti i cili po ndërtohet është në të mirën e nxënësve, në të mirën e fshatit dhe ne jemi të gëzuar që e kemi fatin të kemi një objekt të tillë”, ka thënë ai.
Nxënësja në klasën e tetë, Olta Sadrija, e cila nuk do ta shijojë asnjë ditë në objektin e ri, meqë do të kalojë në shkollim të mesëm kur objekti të përfundojë, shpreson që gjeneratat pas saj të mbajnë procesin mësimor në kabinete të pajisura me inventarë të nevojshëm.
“Ne s'kemi pasë shumë mungesa, vetëm se shkolla ka qenë e vjetër. Kemi pasur kabinetin kur ka nisur procesi mësimor për gjeografi, e kimi, biologji e të tjerë. Të mira kanë qenë kabinetet, por janë mbajtur të tërat në një vend, në një kabinet”, ka thënë ajo.
Sipas njohësit të fushës së arsimit Rinor Qehaja, planifikimet për investime kapitale nuk mbështeten në ndryshime demografike. Ndërtimin e objekteve të reja shkollore, Qehaja nuk e vlerëson si të nevojshëm. Sipas tij, fokusi duhet të kthehet në ristrukturimin e tyre.
“Çdo planifikim për investime kapitale është i hamendësuar dhe bazohet kryesisht në kërkesa ad-hoc të komunave, por që nuk janë domosdoshmërisht refleksion i një projeksioni të mirëfilltë demografik”, ka thënë ai.
Qehaja ka theksuar se duhet të bëhet një strategji për eliminimin e mbingarkesës së numrit të nxënësve në institucionet e arsimit parauniversitar në zonat urbane.
“Kemi një problem të theksuar në zonat urbane e që e njëjta nuk e është prezente në ato rurale. Kjo na dëshmon që investimet në hapësira, në shkolla, më nuk janë aq me prioritet sa kanë qenë para 10-15 vjetëve”, ka thënë ai.
Sipas Strategjisë së Arsimit për vitet 2022-2026, Kosova vlerësohet se do të kalojë një fazë re ndryshimeve të konsiderueshme demografike. Efektet e kësaj kanë filluar të vërehen me rënien e numrit të përgjithshëm të nxënësve në arsimin parauniversitar. Në vitin shkollor 2010/11, numri i përgjithshëm i nxënësve në arsimin fillor, të mesëm të ulët dhe të mesëm të lartë, ishte 410.756, ndërsa në vitin shkollor 2019/20 ka rënë në 312.498 që paraqet zvogëlim prej 23.9 për qind brenda më pak se një dekade. Në bazë të projeksioneve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës 2022-2026, Kosova pritet të ketë rënie të theksuar të grupmoshave 0-4 për shkak të rënies së lindjeve dhe shkallës së migrimit të grupmoshave riprodhuese. Një trend i njëjtë parashihet edhe për grupmoshat 5-9 vjeç të edukimit parafillor dhe fillor.
“Rënia e numrit të nxënësve do të ndikojë në uljen e numrit të paraleleve në shkolla, në zvogëlimin e nevojës për mësimdhënës dhe potencialisht zvogëlimi i numrit të shkollave”, shkruan në Strategjinë e Arsimit. “Në anën tjetër lëvizja e popullsisë nga fshati në qytet do të shkaktojë mbingarkesë në zona urbane. Këto ndryshime demografike duhet të reflektohen në një racionalizëm domethënës të rrjetit të shkollave dhe në rishikim të planifikimit gjatë periudhës së zbatimit të planit strategjik”.
MASHTI nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS për projektin e shkollës në Ponoshec.
Ky institucion për këtë vit ka planifikuar të përfundojë 21 projekte: 12 shkolla, 7 salla të edukatës fizike dhe dy çerdhe.