Ministria e Brendshme ka marrë vendim për ndalimin e rreptë të ndezjes së zjarreve në të gjitha ambientet e hapura, si masë parandaluese ndaj rrezikut të shtuar nga temperaturat e larta dhe thatësira.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ka theksuar se kjo masë ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit, pasurive private e publike, si dhe sigurinë e qytetarëve.
“Sot kemi marrë vendim përmes së cilit ndalohet rreptësisht ndezja e zjarreve në të gjitha ambientet e hapura, duke përfshirë djegien e mbeturinave, pyjeve, fushave, livadheve, ndezjet për rekreacion, piknik si dhe ndezjet e fishekzjarrëve”, ka shkruar Sveçla në Facebook të shtunën.
Ai theksoi se ndezja e zjarreve është vepër penale dhe paralajmëroi masa të ashpra ligjore ndaj të gjithë atyre që do ta shkelin këtë vendim.
“Shkelësit e këtij vendimi do të përballen menjëherë e pa dilemë me masat ndëshkuese që parasheh legjislacioni ynë”, deklaroi ministri në detyrë.
Sveçla u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr apo përhapje të tij. Ai gjithashtu ftoi qytetarët që, në rast të ndonjë zjarri apo rreziku për zjarr, të lajmërojnë menjëherë autoritetet përkatëse përmes numrave emergjentë: Shërbimi Zjarrfikës – 193 dhe Policia e Kosovës – 192.
