Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri Reçica paralajmëron sistem të ri pensional

Kosova pritet të ketë sistem të ri pensional, në mënyrë që vendi të orientohet nga politikat sociale.

Kështu bëri të ditur ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica gjatë një konference për media.

Ai theksoi se bazuar në marrëveshjen e MSA-së, vendi duhet të krijojë një sistem pensional të ri, sipas tij ky aktuali nuk është i mirëfilltë.

“Nga sot do ta lëshojmë në konsultime publike një koncept dokument që rregullon fushën e pensioneve dhe beneficioneve në Kosovë. Është një angazhim i Ministrisë, ky koncept dokument do të rregullojë disa fusha pensionale”, tha ministri Reçica.

Ai shtoi se kjo është reforma më e madhe që ka ndërmarrë qeveria dhe se do të jetë një projektligj unik që përbëhet nga katër shtylla.

“Sistemi i ri pensional do të përbëhet nga pensioni i pleqërisë, i atyre që kanë kontribuar gjatë viteve ‘99, pensionin familjar para viteve ‘99, pensionin invalidor para vitit ‘99 , pensioni për aftësi të kufizuara, pensioni i kategorive të dala nga lufta, pensioni TMK”, u shpreh ai, duke shtuar se koncept-dokument do të jetë i hapur për diskutim deri më 3 dhjetor.