Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ministri letonez i Mbrojtjes: Jemi të gatshëm ta ndihmojmë Kosovën kurdo

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe homologu i tij nga Letonia, Artis Pabriks, gjatë një takimi sot janë dakorduar për të intensifikuar bashkëpunimin në mes dy shteteve, me theks të veçantë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Pas takimit, Mehaj deklaroi se fokus do të jetë ofrimi i përvojës së Letonisë në procesin e anëtarësimit në NATO, operacioneve paqeruajtëse si dhe shkëmbimin e përvojave të fushës specialistike mes dy Forcave.

Mehaj tha se Letonia ka përvojë të jashtëzakonshme në operacione ndërkombëtare, dhe në funksion të kësaj do të shikojnë mundësinë e bashkëpunimit sa i përket operacioneve ndërkombëtare. Me qëllim të realizimit të kësaj, ai theksoi se grupet e ekspertëve të të dyjave vendeve do të angazhohen për të dizajnuar projektet e përbashkëta për operacione ndërkombëtare.

Ndërsa, shtoi se Kosova është krenare për mbështetjen që po i jep NATO-s në strehimin e refugjatëve afganë.

“Jemi krenarë që e mbështesim operacionin humanitar të NATO-s sa i përket evakuimit të refugjatëve afganë. Kosova është mbështetës serioz i këtij operacioni humanitar dhe siç e dini Kosova ka pranuar mbështetjen deri në 2 mijë afganë derisa të caktohet destinacioni i ardhshëm. Ne si popull kemi kaluar shumë faza të rënda përmes luftës, e dimë se çfarë nevoje e çfarë kërkesa ka një popull në këto faza, kështu që edhe ne do të jemi në mbështetje të operacionit humanitar të NATO-s siç është ajo me afganët. Për këtë jemi shumë krenarë që mundemi krahë për krahë shteteve aleate edhe NATO-s t’i mbështesim me kapacitetet tona ushtarake dhe shtetërore”, tha ai.

Në anën tjetër, ministri i Mbrojtjes së Letonisë, Pabriks, u shpreh i gatshëm për të ofruar mbështetjen e shtetit të tij për anëtarësim të Kosovës në NATO dhe BE, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare. Ai tha se si shtet janë të përfaqësuar në trupat e KFOR-it me 115 ushtarë të cilët aktualisht janë në Kosovë.

Edhe Kosova e Letonia nënshkruajnë marrëveshje ushtarake Arbëri Kosova e Letonia nënshkruajnë marrëveshje ushtarake

“Ne jemi në gjendje të ndihmojmë kurdo që është e nevojshme në rrugën tuaj drejt përmirësimit të vendit tuaj në aspektin politik, sigurisht ne do t'iu ndihmojmë në rrugën tuaj për t’u bërë anëtare e NATO-s dhe Bashkimit Evropian. E dimë sa e vështirë është kjo, sepse ne jemi duke e kaluar edhe vetë këtë rrugë. Mendoj se jemi gjithmonë të gatshëm t'i ndajmë përvojat tona, po e bëjmë këtë me miqtë tanë në Ukrainë, Gjeorgji dhe këtu në Ballkan. Kur e shohim se nevojitet ndihma jonë, ushtarët tanë janë gjithherë të gatshëm. Së pari, ne duhet të rishikojmë memorandumin e mirëkuptimit e arritur para 12 vjetësh dhe tashmë ka kaluar shumë kohë, kështu që njerëzit tanë do të angazhohen menjëherë që të bëjmë një ri-aranzhim dhe do ta bëjmë të vlefshme këtë marrëveshje për sfidat që na presin”, tha Pabriks.

Pabriks ka ftuar ministrin Mehaj që të vizitojë shtetin e Letonisë, për siç tha si, thellimin e bashkëpunimin në fushën politike, ushtarake dhe ekonomike./ KosovaPress