Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Minatorët e Trepçës paralajmërojnë masa ekstreme nëse Qeveria nuk dialogon

Ibrahim Januzi nga Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka paralajmëruar masa ekstreme po që se Qeveria nuk dialogon me ta për kushtet mbi të cilat kanë hyrë në ditën e katërt të grevës. Ai ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së, se masa më e rënd që rrezikojnë të marrin është shkëputja e kontakteve me sipërfaqen.

“Ne jemi 800 metra nën tokë. Kemi edhe forma të tjera që të radikalizojmë... Po presim që të reflektojnë. Forma më ekstreme, që nuk po e mendojmë njëherë sepse po presim që të dialogohet, por nëse i shkëpusim kontaktet me sipërfaqen atëherë dikush duhet të japë përgjegjësi sepse do të krijohej një ngjarje e dhimbshme humanitare. Janë duke na detyruar sepse minatorët nuk do të dorëzohen, nuk do të dalin humbës nga kjo grevë. Do të mbyllemi me të gjithë. S’do të komunikojmë. Ajo është mjeti i fundit. Shpresoj të dialogojmë... Nuk kemi afate, por ditët nuk presin gjatë. Situata jonë është duke u rënduar. Në fund të fundit, do të marrim një zgjidhje më ekstreme. S’na mbetet alternativë tjetër. Por shpresojmë të mos e përdorim, por të dialogojmë sepse s’kemi kërkesa politike, por sociale”, ka thënë Januzi.

Ai ka përsëritur se kërkesat për të cilën po grevojnë s’ka të bëjë me rritje pagash, por që pagat të dalin me kohë, të ketë përmirësim të kushteve të punës, sigurime shëndetësore e shkarkim të menaxhmentit.

Januzi ka deklaruar se minatorët janë të zhgënjyer me mosmarrjen e hapave për dialog a bisedime nga ana e Qeverisë.

Ai ka thënë se menaxhmenti i Trepçës nuk i ka vizituar minatorët “për t’i parë kushtet mizërie të punës” në dy vjet menaxhim.

“Mosdëgjueshmëria, mosrespektimi na kanë bë të futemi në grevë”, ka thënë ai.

Sipas Januzit, nuk mund të fajësohet vetëm Qeveria Kurti për gjendjen e rëndë në Trepçë, megjithatë ai ka shtuar se nuk bën të mos mbahet përgjegjëse “sepse ka premtuar shuma e miliona, por s’janë realizuar”.

Edhe Minatorët e Trepçës qe 10 ditë në grevë, s’kanë marrë pagat Arbëri Minatorët e Trepçës qe 10 ditë në grevë, s’kanë marrë pagat

“Asnjë qeveri s’ka arritur asnjëherë të ndihmojë që të menaxhohet mirëfilltë që të rigjenerohet Trepça e të hyjmë në investime kapitale për avancim në krijimin e standardeve më të larta në prodhim e kushte më të mira. S’kemi menduar se një qeveri si kjo të mos e dëgjojë zërin e qytetarëve e t’i lërë të ngujuar për katër ditë e asnjë nga qeveritarët të mos vijë t’i vizitojë. Është turp për ne si qytetarë, si qeveri për ta e edhe si shtet sepse po tregojmë se nuk jemi seriozë e nuk i respektojmë të drejtat e njeriut, të punëtorëve. Duhet të dialogojë me neve”, ka deklaruar Januzi.

Sipas tij, kryeministri Albin Kurti “është i manipuluar me informacione të gabuara, të rrejshme nga bordi i menaxhmentit sepse gjithmonë kanë dashur të paraqiten sikur janë me performancë të mirë, por realiteti është ndryshe”.

Të premten, gjashtë minatorëve iu përkeqësua gjendja shëndetësore si pasojë e grevës. Në orët e paradites, tre prej tyre janë dërguar pa vetëdije në spital, teksa pasdite edhe tre të tjerë. Nga Spitali i Mitrovicës bënë të ditur për KOHËN se gjendja e tyre shëndetësore, pas trajtimit të bërë, është e mirë. Sipas drejtoreshës së spitalit, Luljeta Zhubi, pesë nga minatorët kanë marrë terapi dhe janë liruar. Ajo bëri të ditur se të gjashtat janë pranuar në spital në gjendje të lodhur dhe me marramendje.