Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, thotë se nuk e ka ndërmend ta thërrasë vazhdimin e seancës konstitutive, e cila ka nisur që nga 3 gushti dhe ka mbetur e papërfunduar.
Sipas tij, seanca mund të thirret vetëm nëse ka ndonjë marrëveshje politike që garanton zhbllokimin e krijuar në Kuvend.
"Seanca thirret kur PAN-i t’i ketë numrat ose nëse bëhet ndonjë aleancë ndërmjet Vetëvendosjes edhe Lidhjes Demokratike, gjë nuk ma merr mendja që bëhet", tha Mikullovci.
Formimi i institucioneve të reja të Kosovës, të dala nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit, vazhdon të mbetet i paqartë.
Nyja politike rreth konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës po vazhdon, përderisa ende nuk është krijuar një shumicë parlamentare që do t’i kishte votat e mjaftueshme për formimin e institucioneve të reja.
Pa zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, procedurë kjo e nisur që nga 3 gushti, ky institucion konsiderohet i pakonstituuar, çka e pamundëson edhe nisjen e procedurës për formimin e Qeverisë së re.