Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci ka konfirmuar se sot në orën 11:00 do të vazhdojë seanca konstitutive e Kuvendit të Kosovës.
Thirrja e seancës është bërë pas kërkesës së PAN-it dhe AKR-së, të cilët pas një takimi maratonik që kanë mbajtur sot nga mëngjesi deri në orët e mbrëmjes me Listën Serbe, kanë kërkuar vazhdimin e seancës për nesër.
PANA është pajtuar që Listës Serbe t’i takojë edhe Ministria e Bujqësisë.
KTV ka raportuar se fillimisht është bërë një kërkesë që vazhdimi të fillojë në orën 10:00, por që ora ka ndryshuar dhe është vendosur për në orën 11:00.
“I nderuari kryesues Mikullovci,
Duke shprehur konsideratat tona më të larta për ju si deputeti më i vjetër dhe njëkohësisht kryesues i Kuvendit të Kosovës, dëshirojmë të ju informojmë:
Në emër të koalicionit PAN, AKR-së dhe komuniteteve të tjera joshumicë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, është krijuar shumica parlamentare për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve të tjera.
Andaj, kërkojmë nga ju që nesër (07.09.2017) duke filluar nga ora 10 të thërrisni vazhdimin e seancës konstituive”, thuhet në letrën e nënshkruar nga Kadri Veseli dhe Behgjet Pacolli.
Kuvendi për disa herë ka dështuar që të zgjedh organet drejtuese të tij, ndërsa pritet që sot të zgjidhet kryetari dhe nënkryetari pas marrëveshjes që PAN ka arritur me AKR-në.