Institucionet vendës të drejtësisë duhet që të hetojnë në mënyrë specifike sulmin në veri, ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunajku, po vlerësojnë ekspertët e drejtësisë.
Sipas tyre, fillimisht duhet që vendorët të japin verdiktin e tyre sa i përket të gjitha rrethanave e personave të përfshirë, për t’i lënë më pas rrugën hapur një hetimi të mundshëm ndërkombëtar. Krejt kjo në mënyrë që të vërtetohet përgjegjësia dhe roli i Serbisë në gjithë këtë ngjarje.
Drejtori në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj, tha për Ekonomia Online se prokuroria dhe gjykata duhet ta hetojnë këtë rast, në mënyrë që të vërtetohet përgjegjësia e personave që kanë qenë të përfshirë në këtë akt, të cilin ai e quajti terrorist.
“Në radhë të parë institucionet e drejtësisë në Kosovë, me theks të veçantë prokuroria dhe gjykata duhet ta hetojnë, gjykojnë këtë rast, në mënyrë që të vërtetohet përgjegjësie e personave të cilët kanë qenë të përfshirë në këtë akt terrorist ndaj rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, në anën tjetër një hetim ndërkombëtar nga ana e partnerëve të Kosovës, me theks të veçantë, shtetet mike, do të ishte i mirëseardhur për të hetuar ose për të kuptuar më çartë se cili ka qenë roli i Serbisë, i strukturave të Sigurisë në Serbi, për të mbështetur, këtë grup terrorist, i cili në njëfarë mënyre ka kryer akte terroriste, si duket qëllim ka pasur edhe cenimin e rendit kushtetues të Kosovës, por edhe paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të rajonit”, tha Miftaraj.
Miftaraj shtoi se edhe një hetim ndërkombëtar do të ishte i mirëseardhur për të qartësuar rrethanat e këtij sulmi.
“Tani do të duhet të bëjë në bashkëpunim me institucionet e Republikës së Kosovës dhe sigurisht se do të duhet të ishin shtetet të cilat janë të bashkimit evropian, shtetet demokratike, ShBA, Kanada, apo shtete të tjera të cilat në njëfarë mënyre do të ofronin siguri dhe të gjeturat e tij pastaj hulumtimi, hetimi të ishin të pranueshme për botën demokratike. Unë jam i sigurt që e vërteta do të zbulohet pas hetimit dhe gjykimit të personave të përfshirë nga ana e institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës, duke marrë për bazë përmasat e këtij rasti, ku është cenuar paqja dhe siguria e Kosovës e cila e drejtpërdrejtë ka ndikim edhe në paqen dhe sigurinë e Ballkanit dhe atëherë sigurisht që një hetim gjithëpërfshirës, ku do të përfshihen shtetet demokratike, do të kishte një ndikim më të madh dhe do të ishte mesazh edhe për Serbinë, por edhe për çdo shtet që synon që të destabilizoj një shtet tjetër, e përmes të cilës pastaj do të mund të destabilizoj i tërë Ballkani Perëndimor”.
Edhe
Haradinaj kërkon hetim ndërkombëtar për situatën në veri
Edhe Anton Nrecaj, nga Qendra për Ndihmë Juridike dhe Zhvillim Regjional, Prokuroria duhet që të ngreh aktakuzë kundër të arrestuarve mbi bazën e tri veprave penale për të cilat pretendohet se janë kryer. Për hetimin ndërkombëtar thotë se një iniciativë të tillë, mund ta bëjnë të gjitha palët e interesuara, duke filluar Qeveria e Republikës së Kosovës, Bashkimi Evropian, ku përmes Parlamentit Evropian të vendoset që të ketë një hetim se çfarë ka ndodhur në ditën e së dielës në Banjskë të Zveçanit, raporton EO.
“Fillimisht për deri sa janë duke vazhduar hetimet nga ana e Prokurorisë ndaj atyre personave të cilët janë arrestuar dhe ndaj të cilët mund të ngritet aktakuza mbi bazën e tri veprave penale të cilat janë bë publike është një proces gjyqësor, është një proces të cilin drejtësia duhet të merret, proces i cili sipas të gjitha gjasave do të merr kohë më shumë për shkak se kemi të bëjmë me një çështje, situatë shumë të ndjeshme dhe veprimet e tilla në proceset gjyqësore duhet të jenë, të përgatitura mirë dhe të ketë një balancim, një proces të drejtë gjyqësor ndaj gjithë atyre akterëve çfarë ka ndodhur. Një iniciativë të tillë, mund ta bëjnë të gjitha palët e interesuara, kush më tepër se palë e interesuar mund të jetë edhe vet Qeveria e Republikës së Kosovës, mund të jetë poashtu edhe vetë Bashkimi Evropian, ku përmes Parlamentit Evropian të vendoset që të ketë një hetim ndërkombëtar ose një hetim në kuadër të bashkimit evropian se çfarë ka ndodhur në ditën e së dielës në Banjskë të Veriut të vendit”./EO