Në episodin e dymbëdhjetë të podcastit PIKË, publicisti Veton Surroi diskuton me gazetarin evropian Michael Martens për Kosovën, Ballkanin Perëndimor, Evropën, luftën Rusi – Ukrainë e ngjarjet historike të 1991-s.

Surroi përmend dy arsyet pse Kosova nuk mund të hynte në luftë më 1991

3 o. më parë / 25 maj 2025 21:11
Veton Surroi

Në episodin e fundit të podcastit PIKË, publicisti dhe ish-politikani Veton Surroi shpalosi detaje mbi rolin e tij dhe të delegacionit shqiptar në një takim të mbajtur në janar të vitit 1991 në Stubiçke Toplice, Kroaci – një moment vendimtar që, sipas tij, mund të kishte ndryshuar rrjedhën e historisë së Kosovës në vitet e shpërbërjes së Jugosllavisë.

Në bashkëbisedim me gazetarin gjerman Michael Martens, i cili aktualisht është duke shkruar një libër mbi rolin e Gjermanisë në shpërbërjen e Jugosllavisë, Surroi foli për presionin që u bë gjatë atij takimi për të hapur një “front jugor” të luftës, me pjesëmarrjen e shqiptarëve. Kjo nismë, e nxitur nga presidenti kroat Franjo Tugjman dhe disa nga gjeneralët e tij, përfshinte premtime për furnizim me armë nëse shqiptarët do të angazhoheshin në luftime kundër forcave jugosllave.

“Në ditët e para të debatit, Rugova ishte në pakicë. Kishte më shumë njerëz që donin të shkonin në luftë”, rrëfeu Surroi.

Ai përmendi se si pjesëmarrës i Këshillit të Partive Politike të Shqiptarëve të Jugosllavisë, ku përfaqësoheshin shqiptarë nga Kosova, Tetova, Ulqini dhe Lugina e Preshevës, ishte i vendosur që të mos mbështeste një përshkallëzim të dhunës.

Surroi renditi dy arsye kyçe pse Kosova nuk hyri në luftë në atë periudhë, mungesën e mbështetjes politike ndërkombëtare dhe mospërgatitjen ushtarake.

“Ne kishim fituar simpati ndërkombëtare për shkak të lëvizjes sonë paqësore. Lufta do ta shkatërronte këtë imazh. Në pesë vitet e fundit para 1991-shit, asnjë shqiptar nuk ishte thirrur në stërvitje rezerviste nga ushtria jugosllave. Nuk kishim kapacitet të luftonim”, shtoi Surroi, duke nënvizuar edhe mungesën e strukturave ushtarake të organizuara.

Takimi në Stubiçke Toplice, i mbrojtur nga forcat speciale kroate dhe fillimisht i mbajtur sekret, kishte ngritur shumë dilema për të ardhmen e shqiptarëve në Jugosllavi. Surroi, atëherë udhëheqës i një partie të re të dalë nga një lëvizje studentore, përkrahu idenë e strukturimit të një procesi më të integruar politik – jo ushtarak – për të përballuar shpërbërjen e shtetit.

“Diskutuam ide që, në atë kohë, ishin shumë të frikshme. Kishte madje sugjerime për transportim armësh përmes Shqipërisë. Por ne ishim të bindur se një rrugë e tillë do të ishte fatale”, ka thënë Surroi, duke shtuar se jo vetëm bindjet paqësore, por edhe llogaritjet strategjike e gjeopolitike e bënë të pamundur hyrjen në luftë të shqiptarëve në atë fazë.

Martens: Protestat studentore nuk do ta ndryshojnë thelbin e pushtetit në Serbi

3 o. më parë / 25 maj 2025 20:55
Michael Martens në PIKË me Veton Surroin

Në episodin e ri të podcastit PIKË, gazetari i njohur evropian Michael Martens shprehu skepticizëm ndaj potencialit të protestave studentore në Serbi për të sjellë ndryshim real politik.

Në një bisedë me publicistin Veton Surroi, Martens ka thënë se, ndonëse protestat kanë ndikuar në atmosferën publike, ato nuk përbëjnë kërcënim të vërtetë për pushtetin e presidentit Aleksandar Vuçiq.

“Jam skeptik dhe po bëhem edhe më shumë me kohën. E kuptoj dëshirën për të mos u përzier me partitë politike, por nëse nuk sulmon Bastijën – metaforikisht – duhet të angazhohesh politikisht. Ndryshe, nuk ka skenar të besueshëm për ndryshim”, deklaroi Martens, duke iu referuar mungesës së një strategjie të qartë nga lëvizjet studentore.

Martens gjithashtu foli për zhgënjimin e tij me procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe transformimin e presidentit Vuçiq nga një politikan pro-evropian në një udhëheqës që po konsolidon një sistem gjysmëautokratik.

“Në fillim e mora seriozisht Vuçiqin, dhe mendoj se ai vetë e kishte seriozisht drejtimin evropian, por e kuptoi që BE-ja nuk ishte më e interesuar realisht – dhe loja ndryshoi”, ka thënë ai.

Nga ana e tij, Surroi i dha kontekst historik protestave, duke i krahasuar me lëvizjet e viteve '68 në Beograd dhe fillimet e viteve '90 në Kosovë. Ai theksoi se protesta ka një dimension intelektual dhe kulturor të fortë, por gjithashtu përballet me sfida serioze për shkak të ndikimit të propagandës nacionaliste dhe mungesës së një narrative të bashkuar.

“Këta janë fëmijë të rritur në shekullin XXI nën një propagandë të fuqishme. Ka kreativitet, ka energji, por ende nuk ka një plan të qartë se si ky mobilizim do të përkthehet në ndryshim real politik”, shtoi Surroi.

Martens: Naive të besohet se shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të anëtarësohen në BE deri më 2030

3 o. më parë / 25 maj 2025 20:36
Michael Martens

Gazetari i njohur evropian Michael Martens, në një bisedë me publicistin Veton Surroi në podcastin PIKË, shprehu skepticizëm të thellë ndaj mundësisë që vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030, siç është rasti i Shqipërisë apo Malit të Zi.

Sipas tij, një pritshmëri e tillë është naive dhe nuk mbështetet në realitetin politik dhe strukturor të vetë BE-së.

“Sa më qartë ta themi tash se kjo nuk do të ndodhë, aq më shpejt mund të fillojmë të mendojmë për alternativa”, theksoi Martens, që punon edhe si gazetar i “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Ai shtoi se lufta në Ukrainë ka treguar rëndësinë e marrjes seriozisht të deklaratave të politikanëve, duke përmendur paralajmërimet e presidentit rus Vladimir Putin që u injoruan fillimisht, ashtu siç ndodhi me fjalët e Adolf Hitlerit në “Mein Kampf”.

Martens theksoi se ngjashëm, edhe liderë demokratikë si presidenti francez Emmanuel Macron kanë qenë të qartë për kufizimet e BE-së në formën e saj aktuale.

“Macron për vite me radhë ka thënë se BE-ja me 27 vende tashmë mezi funksionon. E si do të funksionojë me 33 apo më shumë?”, ka thënë ai, duke vënë në dyshim realizueshmërinë e zgjerimit të mëtejshëm të bllokut.

Sipas tij, nëse BE-së i shtohen të gjitha vendet kandidate – gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Ukraina, Moldavia dhe Turqia – ajo do të shndërrohej në një strukturë kaotike dhe të pamundur për t’u qeverisur.

“Do të ishte një klub që nuk do të doje t’i përkisje”, u shpreh Martens.

Martens: Ukraina demokratike është rreziku më i madh për Putinin

3 o. më parë / 25 maj 2025 20:28
Michael Martens

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, gazetari i njohur evropian Michael Martens ka thënë se një Ukrainë demokratike dhe e begatë përbën kërcënimin më të madh për regjimin e Vladimir Putinit – më shumë sesa anëtarësimi i saj në NATO.

Martens, i cili ka jetuar në Ukrainë dhe Rusi gjatë viteve ’90, kujtoi përvojat e tij të hershme duke nënvizuar se Ukraina, ndonëse thellësisht e korruptuar në atë kohë, përfaqësonte një model që shumë rusë e ndiqnin nga afër për shkak të lidhjeve kulturore dhe familjare.

“Një Ukrainë evropiane, e qeverisur nga sundimi i ligjit, është shumë më e rrezikshme për Putinin sesa një Ukrainë në NATO. Begatia që do të vinte nga një shtet ligjor do të ishte goditje për modelin autokratik të Kremlinit”, ka thënë Martens.

Në diskutim u prek edhe roli i Rusisë në Ballkanin Perëndimor, ku Martens e konsideroi të kufizuar ndikimin rus në krahasim me mungesën e angazhimit serioz të Bashkimit Evropian. Ai përmendi shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe ndërhyrjen e BE-së gjatë zgjidhjes së çështjes së emrit, por kritikoi dështimin për të vazhduar mbështetjen: “Investuam shumë dhe pastaj shkatërruam gjithçka duke mos e mbajtur fjalën”.

“Frika ime më e madhe për Ballkanin Perëndimor nuk është Rusia, por vetë BE-ja që minon atë që ka mbetur – dhe nuk ka mbetur shumë”, paralajmëroi Martens.