Të shumta janë rastet kur qytetarët e padisin Ministrinë e Infrastrukturës për shkak të aksidenteve. Kjo, për shkak se vlerësojnë që për të ndodhur aksidentet po kontribuon edhe mosmirëmbajtja e rrugëve nga ky institucion. Në pjesën më të madhe të aktgjykimeve, gjykatat u kanë dhënë të drejtë qytetarëve dhe e kanë obliguar Ministrinë e Infrastrukturës që t’u paguajë dëmshpërblim. Këtë përgjegjësi ia kanë lënë këtij institucioni, ani pse shteti paguan miliona euro për mirëmbajtje të rrugëve. Në bazë të aktgjykimeve, Ministria e Infrastrukturës jo që nuk i konteston vendimet, por shpeshherë edhe i injoron seancat gjyqësore duke mos marrë fare pjesë në to
Prishtinë, 20 shkurt - Miliona euro për tenderë për mirëmbajtje të rrugëve paguan Ministria e Infrastrukturës (MI), por kompanitë e kontraktuara shpesh nuk e kryejnë punën e tyre, gjë që ndikon që të rritet numri i aksidenteve.
E personat e dëmtuar në aksidente ose përfaqësuesit e viktimave po e bëjnë me faj Ministrinë e Infrastrukturës. Rastet e padive të qytetarëve kundër këtij institucioni nuk janë të pakta.
Të pakta nuk janë as rastet kur gjykata u ka dhënë të drejtë qytetarëve për padi dhe e ka detyruar këtë institucion për të paguar dëmshpërblime.
Një gjë të tillë e dëshmojnë një pjesë e aktgjykimeve të vitit të fundit.
Vdekja e një këmbësoreje në një fshat të Deçanit, sipas një aktgjykimi të Gjykatës së Apelit, ishte pasojë e gabimeve të ngasësit të veturës, por që Ministria e Infrastrukturës kishte kontribuar në aksident duke mos u kujdesur për rrugë.
“Kontribut tjetër për shkaktim të aksidentit ka pasur edhe mungesa e vendkalimeve për këmbësorë, përkatësisht në mungesë të vendkalimeve ekzistojnë nënkalimet, që në rastin konkret, duke u bazuar në fotot që gjenden në shkresa të lëndës, janë tërësisht të pamirëmbajtura duke ua pamundësuar kalimin këmbësorëve në to, e përveç mosmirëmbajtjes nuk ka edhe shenja sinjalizuese që tregojnë nënkalimin duke u bazuar në këto foto”, thuhet në aktgjykim.
Përveç disa shumave të caktuara të dëmshpërblimit, gjykata ka obliguar Ministrinë e Infrastrukturës që bashkëshortit dhe fëmijëve të së ndjerës çdo muaj t’ua paguajë një shumë simbolike të parave.
“Për periudhën e ardhshme nga data 15.1.2020 e tutje, derisa për këtë të ekzistojnë kushtet ligjore, shumën e të hollave në lartësi prej 38.16 € në muaj, secilit paditës veç e veç, dhe atë më së largu deri me datën 05 të muajit vijues për muajin paraprak”, thuhet tutje në këtë aktgjykim.
Në një rast tjetër, Ministria e Infrastrukturës ndonëse ka pasur kompani kontraktuese për mirëmbajtje të rrugëve, është bërë përgjegjëse nga gjykata për një aksident. Një grua e përfshirë në një aksident, nga ku ka pësuar lëndime, ka fituar të drejtën në dëmshpërblim prej rreth 11 mijë eurosh.
“Është konstatuar se shkaktar i ndodhjes së aksidentit ku ishin të përfshirë 12 automjete dhe katër këmbësorë është ‘Faktori rrugë’, si pasojë e mosmirëmbajtjes nga organi kompetent apo kompania e kontraktuar për mirëmbajtje të asaj pjese te rrugës për kushtet e sezonit dimëror”, thuhet në një tjetër aktgjykim.
Në një vendim tjetër të vitit të kaluar, gjykata e ka obliguar Ministrinë e Infrastrukturës t’ia kompensojë një qytetari dëmet e veturës pikërisht pse rruga ishte e papastruar.
Rastet kur qytetarët e padisin Ministrinë e Infrastrukturës nuk janë të pakta.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Pejë i ka dhënë të drejtë një qytetari në raport me këtë ministri.
Ai pretendoi se i është shpronësuar një pronë në mënyrë arbitrare. Për këtë gjykata e ka obliguar Ministrinë që t’ia paguajë këtij qytetari shumën prej rreth 100 mijë eurosh.
“Detyrohet e paditura, Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Infrastrukturës me seli në Prishtinë që paditësve në emër të shpronësimit arbitrar, marrjes së paluajtshmërisë, për ngastrën 5623-13 në sipërfaqe prej 17.57 ha t’ua paguajë shumat si vijon: - Në emër të sipërfaqes së shpronësuar për vlerësim shumën prej 91,364.00 euro dhe; - Në emër të vlerës së humbur shumën prej 7,488.00 euro, e të gjitha në total prej 98,852.00 euro, me kamatë ligjore prej 7% nga data 26.10.2017, si dhe në emër të shpenzimeve procedurale t’ua paguajë shumën prej 1796 euro gjitha në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi e nën kërcënim të përmbarimit”, thuhet në një aktgjykim të nëntorit të vitit të shkuar, të cilin e ka siguruar KOHA.
Ndonëse shuma që detyrohet ky institucion ta paguajë është e lartë, sipas aktgjykimit, përfaqësuesit e Avokaturës Shtetërore të Ministrisë Infrastrukturës nuk janë paraqitur fare në asnjë nga seancat.
Gjykata e ka ftuar rregullisht të paditurën për seancat e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje juridike, kontestimore, duke e njoftuar edhe me rrjedhën e procedurës, duke i dërguar edhe ekspertizat e nxjerra përkitazi me këtë kontest, mirëpo e njëjta edhe pse e ftuar në mënyrë të rregullt, nuk ka prezantuar në seancë, ndaj edhe nuk ka dhënë fjalë përfundimtare, pasi që gjykata duke vepruar konform dispozitës së nenit 423.4 të LPK-së dhe propozimit të autorizuarit të paditësve që seanca të mbahet në mungesë të paditurës së ftuar në mënyrë të rregullt, nuk e ka prolonguar çështjen, mirëpo ka vazhduar me mbajtjen e shqyrtimit kryesor”, thuhet në po të njëjtin aktgjykim.
Të tilla raste nuk janë të rralla.
KOHA që nga fillimi i javës e ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës për shumën vjetore që paguajnë për rastet që i humbin në gjykatë dhe përfaqësimin e tyre në seanca, por nga ky institucion ende nuk janë përgjigjur.