Nuk janë të pakta rastet kur Ministria e Infrastrukturës padit qytetarë apo biznese për dëme që pretendon se i janë shkaktuar shtetit. Por kur këto padi nisin të shqyrtohen në gjykatë, përfaqësuesit e Ministrisë nuk shkojnë fare në seanca. Ligjërisht kur paditësi mungon në shqyrtim gjyqësor, atëherë padia i bie që është tërhequr. Institucionet qeveritare në shumicën e rasteve i përfaqëson Avokatura Shtetërore që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Në këtë institucion i kanë arsyetuar mungesat në seanca me mungesë kapacitetesh
Në raste kontestuese ku ka dëm financiar të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, shteti ka paditur kompani a individë të ndryshëm, por një pjesë të madhe të padive i ka humbur me fajin e vet. Kjo për shkak që shpesh shkak i humbjes së rasteve në gjykatë është mosprezenca e askujt nga Avokatura Shtetërore që përfaqëson në gjykatë institucionet e Kosovës.
Të tilla humbje, jo veç financiare, shihen sidomos tek Ministria e Infrastrukturës.
Gjykata Themelore në Prishtinë vitin e kaluar i ka dhënë të drejtë një biznesmeni kundër kësaj ministrie. Padia e tij kishte të bënte me atë se ky institucion nuk ia kishte licencuar një terminal doganor. Gjatë procesit gjyqësor Ministria e Infrastrukturës nuk ishte paraqitur fare. Kjo kishte bërë që të vendosej në favor të biznesmenit.
“Në seancën e shqyrtimit kryesor palët janë ftuar me rregull, mirëpo e paditura ftesës së gjykatës nuk iu ka përgjigjur dhe mungesën nuk e ka arsyetuar. Gjykata konform nenit 41 të Ligjit nr. 03/L-202 për Konfliktet Administrative (LKA) seancën e shqyrtimit kryesor e ka mbajtur pa praninë e të paditurës.”, thuhet në arsyetimin e gjykatës për këtë rast.
Aktgjykimi argumenton gjatë se si këtij institucioni i ishin kërkuar vazhdimisht provat për rastin, por të tillat nuk ishin ofruar dhe as përgjigje nuk ishte kthyer.
“Me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike, gjykata e ka obliguar të paditurën që të ofrojë prova relevante nëse e njëjta ka vendosur lidhur me kërkesën e paditësit, mirëpo që e njëjta as me përgjigje në padi, as në seancën e shqyrtimit kryesor, nuk ka ofruar asnjë provë me të cilat do të mbështesë pretendimet e saj”, thuhet më tutje aty.
Pjesa më e madhe e dispozitivit është sqarim për pasojat e mospjesëmarrjes së Ministrisë së Infrastrukturës.
“Bazuar në dispozitat e lartcekura, gjykata konsideron se përdorimi i mjeteve dhe metodave të të provuarit nënkupton një detyrim për palët. Kjo lidhet me detyrimin për respektimin me përpikëri të procedurave ligjore të përcaktuara me ligj. Andaj në këtë kuptim gjykata vlerëson se e paditura ka vepruar në kundërshtim me ligjin, kur as me përgjigje në padi, as në seancën e shqyrtimit kryesor nuk ka ofruar provat e kërkuara nga gjykata dhe si rrjedhojë paditësit nuk i është dhënë mundësia që të deklarohet rreth tyre”, thuhet aty.
Është dhënë arsyeja edhe pse një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.
“Gjykata si rregull konfliktin administrativ e vendos në bazë të gjendjes faktike të vërtetuar nga ana e organeve administrative, ndërsa nga shkresat e lëndës nuk mund të kuptohet se si është vërtetuar gjendja faktike, pasi që e paditura nuk ka nxjerrë vendim përfundimtar sipas kërkesës së paditësit”, është sqaruar në aktgjykim.
Më datë 19 shkurt të këtij viti, e njëjta ministri ka humbur edhe dy raste të tjera. Në të dyja nuk kanë prezantuar në seancë, dhe në aktgjykim kjo është përmendur si arsye që gjykata ka vendosur për këto raste në favor të personave privatë.
Kjo dëshmohet në aktgjykimet e të njëjtit gjyqtar të nxjerra në të njëjtën ditë, me arsyetim pothuajse identik.
“Gjykata në këtë çështje juridike kontestimore ka caktuar seancën përgatitore për dt. 19.01.2022, me fillim në ora 09:00 dhe ka konstatuar mungesën e përfaqësuesit të autorizuar të paditëses e ftuar në mënyrë të rregullt nga gjykata. Gjykata konstatoi se ftesën paditësja e ka pranuar në mënyrë të rregullt më dt. 15.12.2021, ndërsa mungesën nuk e ka arsyetuar. Në seancën e dt. 19.01.2022 i padituri I. N. kërkoi nga gjykata se: Pasi që pala paditëse nuk ka ardhur në këtë seancë, i propozoj gjykatës që ta konsiderojë të tërhequr këtë padi”, sqarohet në paragrafin e dytë të dispozitivit të këtij aktgjykimi.
Ligji i Procedurës Kontestimore e rregullon këtë çështje. Sipas nenit 423, në rastet kur mungon paditësi në shqyrtim gjyqësor atëherë i mbetet në vullnet paditësit për vazhdimin ose jo të gjykimit.
“Në qoftë se paditësi nuk vjen në seancën kryesore, edhe pse është thirrur rregullisht, konsiderohet se e ka tërhequr padinë, përveçse kur i padituri deklaron se kërkon që të zhvillohet shqyrtimi kryesor i çështjes në mungesë të paditësit”, thuhet në paragrafin e tretë të këtij neni.
E, në Ministrinë e Drejtësisë, në kuadër të së cilës ministri ndodhet Avokatura Shtetërore që në shumicën e rasteve përfaqëson institucionet në gjykata, kanë thënë që nuk kanë kapacitete për ta bërë përfaqësimin në secilën seancë.
“Po në raste administrative mbahen mbi 20 seanca në javë dhe është e pamundur pjesëmarrja në të gjitha. Për ketë arsye në lëndë administrative nuk marrim pjesë gjithherë, ndërsa në çështje civile i kushtojmë rëndësi”, thuhet në një përgjigje të shkruar të Ministrisë së Drejtësisë.
KOHA ka provuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Infrastrukturës, por ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.