Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Meta: Veprimet e Republikës Serbe rrezikojnë stabilitetin rajonal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se është thellësisht i shqetësuar për përshkallëzimin e përpjekjeve të Republikës Serbe të Bosnje dhe Hercegovinës për t'u tërhequr nga institucionet shtetërore dhe për të krijuar institucionet paralele të ushtrisë, gjykatave dhe sistemit tatimor.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se iniciativa e ligjvënësve të Republikës serbe për të filluar punën për krijimin e këtyre institucioneve dhe hartimin e një Kushtetute të re, shkojnë në drejtimin e kundërt të përpjekjeve 26-vjeçare të qytetarëve boshnjakë, liderëve lokalë dhe bashkësisë ndërkombëtare për të forcuar paqen dhe sigurinë në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Duke minuar në këtë mënyrë Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, rrezikohet seriozisht stabiliteti rajonal dhe vështirësohet jetesa e qytetarëve të të gjitha nacionaliteteve, që aspirojnë paqe dhe begati. Gjithashtu, ato dëmtojnë rëndë shtetin ligjor dhe perspektivën e integrimit europian të vendit dhe rajonit. Bëj thirrje për angazhimin në dialog të politikanëve të Republikës Serbe dhe të Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre në mirëbesim reciprok, me qëllim avancimin e reformave të nevojshme për përmirësimin e jetës së qytetarëve, avancimin e proceseve integruese të shtetit të tyre, çka do t'i shërbente edhe forcimit të paqes e sigurisë në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Artikuj të ngjashëm