Arbëri

Meta në Shkup, Ballkani i konflikteve tash ka nevojë për bashkëpunim

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Maqedonisë, u prit sot nga homologu i tij, presidenti Gjorge Ivanov.

Pas interpretimit të himneve të të dy shteteve dhe nderimeve ushtarake të rastit, të dy presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë dhe më pas drejtuan bisedimet e zgjeruara mes dy delegacioneve.

Presidenti Meta vlerësoi lidhjet e ngushta historike e kulturore dhe theksoi se ato janë ekzistenciale dhe përcaktuese për të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve tona.

“E vetmja mënyrë për të përballuar sfidat e globalizmit është bashkëpunimin i ngushtë në nivel dypalësh dhe atë rajonal – u shpreh Presidenti Meta.

Në mënyrë të veçantë presidenti Meta vlerësoi frymën dhe vizionin e përbashkët euroatlantik që i karakterizon ato dhe duke përshëndetur zhvillimet dhe angazhimet e marra nga Qeveria e re e Maqedonisë, për përmirësimin e klimës dhe harmonisë ndëretnike. Në mënyrë të veçantë, Presidenti Meta, vlerësoi hapat konkrete në drejtim të miratimit të ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe.

Presidenti Meta i konsideroi shqiptarët në Maqedoni, një faktor të rëndësishëm për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit dhe të orientuar qartë drejt BE-së dhe NATO-s, ndërsa pakicën kombëtare maqedonase në Shqipëri, si urë lidhëse të fuqishme miqësie. Presidenti Meta shprehu besimin se ligji i ri për pakicat kombëtare në Shqipëri do të krijojë hapësirën e duhur për ruajtjen e identitetit të saj sipas standardeve më të mira evropiane.

Duke perifrazuar Nënë Terezën e cila i bashkon të dy vendet, presidenti Meta theksoi se shprehja e saj: “Nëse i gjykojmë njerëzit pa fund nuk mbetet më kohë për t’i dashur ata”; i shërben si njerëzve ashtu edhe fqinjëve.

Sa i përket bashkëpunimit dypalësh, presidenti Meta nënvizoi domosdoshmërinë e zhvillimit të projekteve të përbashkëta, veçanërisht në fushën e infrastrukturës lidhëse mes dy vendeve dhe shprehu besimin se mbledhja e ardhshme e dy qeverive, në Pogradec, do t’i japë një shtysë marrëdhënieve dypalëshe, jo vetëm në planin politik, por edhe në atë ekonomik dhe do të evidentojë projektet e përbashkëta në kuadër të procesit të Berlinit.

“Ballkani, i cili ka prodhuar shumë histori e retorikë konfliktuale në të shkuarën, sot ka më shumë nevojë për bashkëpunim konkret dhe jo retorikë bashkëpunuese”, - theksoi presidenti Meta.

Presidenti Meta e siguroi edhe njëherë presidentin Ivanov për mbështetjen e Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe rëndësinë që ka për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit.