Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Meta i bën thirrje Ramës për masa urgjente ndaj krizës ekonomike

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, i ka bërë thirrje Qeverisë së këtij vendi që të ndërmarrë masa urgjente për krizën ekonomike që ka kapluar jo vetëm këtë vend, por gjithë rajonin.

Duke numëruar disa nga masat që ka marrë Greqia, Maqedonia e Veriut, Kosova e Kroacia, Meta ka kërkuar nga kryeministria që të ndërhyjë për uljen e çmimit të karburanteve dhe të miratojë një paketë ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë.

“Greqia miraton paketën e ndihmës ekonomike 300 - 400 euro për familjet me të ardhura të ulëta. Maqedonia e Veriut përgatit paketën ekonomike 400 milion euro për zbutjen e krizës së çmimeve, me fokus uljen e çmimit për karburantet, energjinë elektrike dhe ndihmën e familjeve në nevojë. Kosova ndan 50 milion euro subvencione në bujqësi. Kroacia heq akcizën e naftës”, ka shkruar Meta në llogarinë e tij në Facebook.

Ai kritikoi Shqipërinë për mosreagim me anë të iniciativave që ndihmojnë në uljen e çmimeve të karburanteve, të cilat ai i ka quajtur abuzive, për çmimet e energjisë elektrike dhe të mallrave të shportës.

“Shqipëria ZERO paketë ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë, fermerëve dhe bizneseve të vogla dhe ZERO nisma për uljen e çmimeve abuzive të karburanteve, energjisë elektrike dhe mallrave të shportës. Qeveria të ndërhyjë urgjentisht: Për uljen e çmimit të karburanteve; Për miratimin e një pakete ekonomike në ndihmë të familjeve në nevojë. Koha për të dëgjuar zërin e qytetarëve është tani”, ka përfunduar ai.