Ish-presidenti kroat, Stipe Mesiq, thotë se sulmi terrorist në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, ishte përgatitur për të nxitur luftë.
Në sulm u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, e morën lëndime edhe tre policë tjerë.
"Pra, kur një ditë të analizohet, dhe ka arsye për të folur për të, nuk ishte ekses, kjo ishte përgatitur dhe në këtë kanë marrë pjesë disa institucione, të cilat mund të sjellin njerëz të armatosur me pajisje, domethënë pajisje për luftë, bomba, me mitraloza të rëndë, automjete të blinduara. Kështu që gjithçka ishte përgatitur për një provokim të madh për të ngritur njerëzit nga rrethina, që ata të reagojnë dhe pastaj Serbia të shfaqet si ajo që do t’i zgjidhë gjërat. Në fakt është politika serbe e cila dëshiron të integrojë një pjesë të Kosovës në territorin e saj", tha Mesiq për “Kosova Press”.
Mesiq ka kritikuar Bashkimin Evropian për qasjen dhe qëndrimet pas 24 shtatorit.
"Bashkimi Evropian nuk e udhëheq sa duhet politikën evropiane. I kushton më shumë rëndësi asaj se çfarë do të thotë Amerika dhe jo asaj që është në interes të Evropës dhe në këtë kuptim mendoj se lidershipi i Bashkimit Evropian është duke gabuar, sepse Evropa duhet ta udhëheqë politikën, politikën evropiane, Bashkimi Evropian duhet ta udhëheqë politikën evropiane", tha Mesiq.
Edhe
Vuçeviq: Serbia mos ta pranojë që Banjska të përcaktohet nga mënyra se si Prishtina e sheh ngjarjen
Ish-presidenti kroat vlerëson se Kosova duhet ta vazhdojë dialogun.
"Kosova gjithmonë ka treguar interes që çdo gjë të zgjidhet në mënyrë paqësore, në mënyrë diplomatike dhe në këtë kuptim, mendoj se Kosova do të vazhdojë të ketë të njëjtat pikëpamje", tha Mesiq, i cili tregoi se javën e kaluar në Zagreb u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe për të thotë se ka qasje realiste ndaj politikës evropiane.
Sa i përket veprimeve të institucioneve të Kosovës pas 24 shtatorit, Mesiq thotë se janë marrë veprimet e duhura.
"Në këtë mund të thuhet situatë të vështirë, në një provokim të vështirë, si Qeveria ashtu edhe presidentja kanë marrë të gjitha masat e nevojshme. Në veprimet e tyre, institucionet e Kosovës vepruan sipas standardeve evropiane dhe i përgëzojë që nuk lejuan që kjo sfidë të shkaktojë viktima më të mëdha. Serbia ka marrë shumë masa që bota mund t'i kritikojë, përkatësisht në Serbi nderohen ata terroristë që sulmuan institucionet e Kosovës, të cilët sulmuan Kosovën. Pra, ata vdiqën në një sulm terrorist dhe Serbia i nderon si viktima të politikës shqiptare, kështu që ata bënë gjithçka gabim", tha Mesiq.
Edhe
DASH-i pret nga Serbia që autorët e sulmit në Banjskë të japin përgjegjësi pa vonesa
Mesiq ka thënë se gjithë bota duhet ta kuptojë se Kosova është fakt dhe se Kosova është shtet.
"Mendoj se gjithë bota duhet ta kuptojë se Kosova është fakt, se Kosova është shtet dhe se të gjitha shtetet kanë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat marrëdhënie me Kosovën. Ndaj duhet njohur një fakt, atë që në Serbi ende nuk e njohin Kosovën, ky është një problem që ia ka vënë vetes udhëheqja e Serbisë. Prandaj, Serbia nuk ka pse ta njohë Kosovën, e gjithë bota do ta njohë Kosovën, por Serbia nuk ka nevojë, por duhet të lejojë lëvizjen e njerëzve, lëvizjen e kapitalit, lëvizjen e ideve, kështu që duhet të lejojë komunikimin me botën", thotë Mesiq.