Arbëri

Mes ndryshimeve në Projektligjin për Byronë e Konfiskimit, edhe zgjedhja e drejtorit

Komisioni Parlamentar për Legjislacion e ka kaluar gjatë së premtes tekstin e ndryshuar të Projektligjit për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Në mesin e dispozitave të ndryshuara është edhe ajo për zgjedhjen e drejtorit të Byrosë. Në procesin e votimit në Komision nuk mori pjesë asnjë deputet i opozitës.

Ka kaluar në Komisionin Parlamentar për Legjislacion teksti i ndryshuar i Projektligjit për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme.

Kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi, propozoi të tërhiqet teksti fillestar e të zëvendësohet me tekstin e ri, në të cilin janë integruar komentet e shoqërisë civile, organizatave ndërkombëtare, si dhe të Komisionit të Venecias.

Sipas tij, një prej ndryshimeve madhore është zhbllokimi i përzgjedhjes së drejtorit të institucionit nëse asnjë kandidat s’i merr votat e nevojshme në Kuvend.

“Pas dështimit për herë të dytë të procesit të zgjedhjes së drejtorit nga ana e Kuvendit, herën e tretë procesi i zgjedhjes së drejtorit bëhet nga komisioni mbikëqyrës domethënë me procedurë të njëjtë pa dyshim, por nuk sillet në votim në Kuvend”, ka thënë Rrustemi.

Rrustemi tregoi se, mes ndryshimeve në tekstin e projektligjit, është edhe ai që mohon mundësinë e verifikimit për këdo që ka lënë funksionin publik prej më shumë se 5 vjetësh.

“Kur Byroja vlerëson apo konstaton se pasuria e personit zyrtar e fituar pas periudhës së ushtrimit të funksionit publik është në masë të madhe më e lartë se të hyrat e tij të ligjshme apo pasuria e fituar gjatë periudhës së ushtrimit të personit publik nga ana e personit zyrtar mund të zgjerohet periudha e verifikimit edhe pasi që zyrtari publik nuk ushtron më funksionin publik. Kjo periudhë nuk mund të jetë më e gjatë se pesë vjet pas përfundimit të funksionit”, ka sqaruar deputeti i VV-së.

Gjashtë deputetë votuan pro ndryshimeve, e në votim nuk mori pjesë asnjë deputet i opozitës.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, tregoi arsyen e mungesës së përfaqësuesve të partisë që i takon.

“Ne kemi konsideruar që edhe përkundër rekomandimeve të Komisionit të Venecias, i tërë projektligji pothuajse do të amandamentohet dhe është vështirë… në fakt dallon komplet nga projektligji bazë, i cili ka ardhur në Kuvend dhe një gjë tjetër, aspekti civil i trajtimit që e përshkon Projektligjin për Byronë e Konfiskimit absolutisht nuk mund të interferojë dhe nuk mund të kompensojë ato që janë çështjet kushtetuese, prandaj ne kemi pasur edhe vërejtjet tona sepse Kosova nuk është duke vuajtur nga mungesa e ligjeve, ne faktikisht po vuajmë nga pavarësia e institucioneve”, ka thënë ajo.

Projektligji është planifikuar të shkojë për miratim në Kuvend në 2023-tën, e para votimit në seancë, do të vazhdojë procesi i diskutimit dhe i hartimit të amendamenteve.