Personat e strehuar në strehimoret për dhunë në familje dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës, do ta kenë më të lehtë punësimin.
Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka nënshkruar të mërkurën një memorandum bashkëpunimi me “Rrjetin e Grave të Kosovës” dhe Shoqatën e “Rrjetit të Shitësve me Pakicë”. Selimi është zotuar se do të mbështesë këto kategori.
“Në raste të rralla bëhen bashkë Institucionet, Qeveria, shoqëria civile dhe sektori privat, për ta nënshkruar një vullnet të mirë, me anë të së cilit shprehim gatishmërinë tonë që të jemi pran grave të cilat janë viktima të dhunës. Rast i rrallë kur Qeveria me shoqërinë civile dhe sektorin privat ka gjet je zgjidhje për të rehabilituar gratë të cilat janë viktima të dhunës në familje dhe janë nëpër strehimore...Problemi kryesor te gratë të cilat janë viktima të dhunës, është rehabilitimi i tyre dhe si pjesë të rehabilitimit e kemi pa që është e domosdoshme që të kryqet sektori privat, veçanërisht sektori i shitjes me pakicë të cilët ofrojnë një gamë më të gjer të vendeve të punës”, ka thënë Selimi.
Ndërsa ka theksuar se ky memorandum do t’ua lehtësojë jetën, duke iu ofruar punësim. Udhëheqësja e Rrjetit të Grave, Igballe Rugova, ka thënë se pavarësia ekonomike e kësaj kategorie është çelës për sigurinë e tyre.
“Pavarësia ekonomike është çelës kryesor për integrimin e këtyre grave. Jam jashtëzakonisht me emocione sepse më në fund po kuptohet që trekëndëshi duhet të funksionoj në mënyrë që t’i ndihmohet qytetarëve të Kosovës. Ky trekëndësh është Qeveria, Shoqëria Civile dhe ndërkombëtarët në ketë rast donatorët...Është një ditë e veçantë sepse të mbijetuarat e dhunës në familje dhe të mbijetuarat e dhunës seksuale kanë shansin të gjejnë një vend pune, përmes rrjetit të shitësve me pakicë, kjo do të thotë shumë sepse pavarësia ekonomike është qelës kryesor për integrimin e këtyre grave”, ka thënë ajo, raporton KosovaPress.