Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dinarama: Institucionet s’kanë ofruar mbështetjen e nevojshme në riintegrimin e viktimave të dhunës

Drejtoresha e strehimores “Shtëpia e Sigurt”, Erblina Dinarama, ka njoftuar se në strehimoren të cilën e drejton kanë pasur mungesë të mbështetjes së institucioneve sa i përket riintegrimit të të mbijetuarave të dhunës.

E ftuar në Tempus të KTV-së, Dinarama tha se për riintegrimin e këtyre viktimave, nevojitet një pako e shërbimeve që duhet t’i ofrojnë gruas duke përfshirë edhe banimin dhe jo vetëm punësimin, pasi që është e vështirë që me rrogën që i ofrohet të paguajnë shpenzimet ku përfshihet edhe qiraja.

Ajo më tej ka shtuar se ekziston qendra për aftësimin profesional se ku të dërgohen gratë për trajnime në kurse të ndryshme, mirëpo asgjë konkrete nuk është ofruar nga organet institucionale dhe komuna për integrimin e tyre.

“Kemi pasur mungesë të një mbështetjeje të institucioneve, ne kemi qendrën për aftësim profesional, ku gratë i dërgojmë atje për trajnime në kurse të ndryshme, por diçka konkrete nga komuna dhe nga organet institucionale nuk ka pasur në riintegrimin e tyre. Unë mendoj që në qoftë se mendon ta riintegrosh një viktimë, duhet një pako e shërbimeve që duhet t’ia ofrojmë gruas, jo vetëm punësimin e nuk i ofrohet banimi, sepse për të është e pamundur në fillim që pasi ta lëshojë strehimoren, vendoset në një punë dhe e gjen një punë, që ta paguajë qiranë e banesës së vet, pasi që është e vështirë me rrogat që ekzistojnë në Kosovë dhe duke e ditur nivelin e shkollimit prej të cilit vijnë viktimat. Niveli i tyre i shkollimit është më i ulët dhe normalisht që kërkohet më shumë punë dhe ndihmë që t’i ofrohet asaj viktime, në këtë rast të mbijetuarës”, ka thënë ajo.