Arbëri

Të vrara nga burrat dhe drejtësia

Bazuar në një raport të publikuar gjatë kësaj jave nga organizata “Amnesty Internacional”, Kosova ka dështuar që t’i përmbushë zotimet karshi të mbijetuarave të dhunës në familje. Një theks i veçantë në këtë raport i jepet mungesës së mbështetjes për largimin e grave nga situatat dhe ambientet abuzive, mostrajtimi me seriozitet nga Policia i rasteve të raportuara, dënimet joadekuate dhe mungesa e qasjes së mjaftueshme në dëmshpërblim për dëmet e pësuara

Pak muaj pasi që e kuptoi se do të bëhej nënë, një 30-vjeçare u shtrëngua që të kërkonte strehim larg babait të foshnjës së saj. Rreziku që i kanosej nga burri i dhunshëm dhe mungesa e përkrahjes nga familja e saj, thotë se e detyruan që ta bënte këtë zgjidhje.

Për tre vjet të martesës, ajo tregon se është përballur me dhunë fizike e psikike, por thotë që kulmi për të ishte kërcënimi me vrasjen e saj dhe të fëmijëve.

“Ai më tha dil nga shtëpia, ma lësho shtëpinë dhe kudo që të jesh, edhe në birë të miut qofsh, tre plumba kam me t’i dhënë. Por unë isha duke e bërë video, duke e incizuar që të kisha fakt, ngase non-stop kur fliste nuk e xhiroja. Tha se sikurse ajo policja e Gjilanit që e ka vrarë krejt familjen, ashtu kam për të bërë edhe unë. Dhe unë nuk pata rrugëzgjidhje tjetër..”, tregon 30-vjeçarja.

Një adresë strehimi prej dhunës së ushtruar në shtëpi nga bashkëshorti, për më se pesë vjet, ka kërkuar edhe një tjetër tridhjetëvjeçare, nënë e dy fëmijëve.

“Më është akumuluar ndër vite kjo dhunë dhe nuk kam mundur ta duroj. Në fillim e kam duruar dhe kam toleruar shumë dhunë, si verbale, emocionale, fizike, të të gjitha llojeve. Por, dikur kur e pashë që edhe fëmijët e mi janë duke më parë duke më rrahur, mua një nënë kësisoj dhe në këtë gjendje, atëherë unë ia kam vënë pikën edhe jam drejtuar në strehimore, sepse e kam parë që nuk vazhdon ashtu jeta, as për mua dhe as për fëmijët e mi”, rrëfen ajo.

Strehimoret për viktimat e dhunës në familje janë bërë shtëpi e përkohshme për të dyja këto gra që kanë vuajtur dhunë nga burrat e tyre. Por ato nuk janë të vetmet. Vetëm në një strehimore në Prishtinë, aktualisht janë të strehuara 5 gra, bashkë me fëmijët e tyre.

Qendrat e Mbrojtjes, shtëpi për gratë që i nënshtrohen dhunës në familje

Zana Hamiti, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e Grave dhe të Fëmijëve, thotë se pas raportimit në Polici të rasteve të dhunës, strehimoret bëhen adresë e grave që nuk kanë alternativë tjetër.

Ajo thotë se numri i grave që kërkojnë strehim në këto qendra ndryshon nga viti në vit, por shton se sivjet periudha e qëndrimit të tyre ka qenë më e gjatë, krahasuar me vitin paraprak.

“Asnjëherë nuk mund të thuash se sa saktë është ky numër i kufizuar. Vitin e kaluar kemi pasur 171 raste, e deri tash janë 138. Si numër është më i ulët se vitin e kaluar, mirëpo nëse e marrim se sa gjatë ka qëndruar viktima, do të thotë se ka një shifër më të lartë se vitin e kaluar”, ka thënë Hamiti.

Si pasojë e mungesës së një zgjidhjeje afatgjate, Hamiti tregon se disa nga gratë që strehohen në këtë qendër janë detyruar që t’i mbajnë edhe më gjatë sesa periudha e përcaktuar prej gjashtë muajsh.

E ato që vazhdojnë t’i quajnë shtëpi këto qendra e kanë veç një kërkesë.

“Unë prapëseprapë nuk kam ku t’ia mbaj, përpos nëse ma zgjat dikush dorën, qoftë edhe përkohësisht derisa të forcohem unë vetë. Ndryshe nuk e di, nuk e kam menduar që do të mbetem kështu. Në rrugë, pa kërkon hiç”, ka theksuar e mbijetuara e dhunës në familje.

“Kisha bërë apel që kush ka shpirt, si nënë vetushqyese tash që mendoj me qenë me fëmijë të mi, të më ndihmojë, një strehë ose shuma të hollash, me qira. Jam e gatshme të punojë veç me nder, me fytyrë të pastër, vetëm që t’i mbaj fëmijët e mi... Pas strehimores, nëse askush nuk më bën zgjidhje, unë nuk kam nga të shkojë, mbes në mes të katër rrugëve, familjarë jo, të ardhura askund hiq, në duar të zotit”, ka kërkuar e mbijetuara tjetër.

Sigurimin e një vendbanimi nga shteti, drejtoresha e strehimores, Zana Hamiti, e sheh si zgjidhjen që këto gra të mos detyrohen t’iu kthehen burrave dhunues.

“Kjo pjesa e riintegrimit është sfiduese se është shumë vështirë nëse viktimës nuk i sigurohet një vendbanim ose kushte bazike për jetesë, ajo detyrohet të kthehet prapë te dhunuesi dhe të krijohet një cikël i dhunës”, ka theksuar ajo.

E në Rrjetin e Grave të Kosovës thonë se çdo komunë do të duhej të kishte vendbanime sociale për viktimat e dhunës në familje.

Adelina Berisha, nga RRGK-ja, mendon se krahas kësaj duhet që të bëhet punë e madhe edhe në aspektin e ndryshimit të normave gjinore drejt trajtimit të barabartë të fëmijëve në familje.

“Ne duhet të punojmë që familjet tona t’ia dinë peshën e fëmijës së tyre vajzë dhe atë fëmijë vajzë ta trajtojnë njëjtë sikurse fëmijën djalë dhe ky fëmijë vajzë të ketë qasje edhe në pronë dhe në trashëgimi dhe nesër kur të bëhet grua të ketë diçka në dispozicion dhe të mos mbetet viktimë, të mos mbetet në varësinë e dhunuesit, sepse shpeshherë kemi pa që duke mos pasë mbështetjen edhe të familjes së vajzërisë gratë janë detyruar të rrinë në ato familje ku ndaj tyre ushtrohet dhunë”, thotë Berisha.

Ndonëse jo me vendbanim afatgjatë, Komuna e Prishtinës që prej një viti është duke iu ofruar ndihma viktimave të dhunës në familje, duke i asistuar me një shumë prej rreth 500 eurosh në muaj për mbulimin e shpenzimeve të qirasë dhe të tjera, për një periudhë dyvjeçare.

Adelinë Sahiti, drejtoreshë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Prishtinës, thotë se krahas aspektit financiar, grave që përjetojnë dhunë në familje synohet që t’u ofrohet ndihmë edhe në aftësimin për profesione të ndryshme dhe në hapjen e bizneseve.

“Gradualisht po fillojmë të ngremë kapacitetet, t’ua mundësojmë pagesën e qirasë të një biznesi, t’ua blejmë ato makineritë e nevojshme që janë për të filluar punën e tyre e gradualisht të ndihmojmë në të gjitha që ato t’i marrin këmbët e tyre dhe të vazhdojnë të jetojnë të pavarura, pa pasur nevojë që të kthehen te dhunuesit. Kjo është esenciale për ne dhe kjo ndihmesë është e tillë që të mos detyrohen viktimat që të kthehen te familja, e cila i ka dhunuar apo edhe i ka dëbuar nga shtëpia”, thekson ajo.

Që prej nëntorit të shkuar e deri më tash, në Komunën e Prishtinës thonë se nga ndihmat financiare kanë përfituar 23 të mbijetuara të dhunës në familje. E, Sahiti insiston se shembulli i kryeqytetit mund të zbatohet lehtësisht edhe në komunat e tjera të Kosovës.

“E kanë modelin e gatshëm, edhe nëse shuma është më e vogël, sepse ne jemi kryeqytet, kemi edhe buxhet më të madh, komunat e vogla kanë buxhet më të limituar sesa ne. Me atë buxhet që kanë mjafton që vetëm të jetë vullneti i tyre. Është momenti i fundit që si shoqëri, si institucione, si nivel lokal, por edhe si nivel qendror që të fokusohemi aty ku duhet, të fokusohemi te jeta e njeriut...”, shprehet Sahiti.

Dështimi i shtetit

Bazuar në një raport të publikuar gjatë kësaj jave nga organizata “Amnesty Internacional”, Kosova ka dështuar që t’i përmbushë zotimet karshi të mbijetuarave të dhunës në familje. Një theks i veçantë në këtë raport i jepet mungesës së mbështetjes për largimin e grave nga situatat dhe ambientet abuzive, mostrajtimi me seriozitet nga Policia i rasteve të raportuara, dënimet joadekuate dhe mungesa e qasjes së mjaftueshme në dëmshpërblim për dëmet e pësuara.

Rina Kika, avokate dhe aktiviste e të drejtave të njeriut, shpreh kritikë se me gjithë veprimet e ndërmarra në rrafshin e adresimit të dhunës në familje, kanë munguar veprimet konkrete.

“Qeveria e Kosovës është përkushtuar që dhunën në familje ta trajtojë me seriozitet dhe e ka bërë si prioritet të qeverisë adresimin e dhunës në familje, mirëpo nuk jena t’u e pa në disa veprime konkrete, pavarësisht asaj që ka pasë disa hapa që janë marrë. Kur e marrim parasysh se cilat janë nevojat e një personi që përjeton dhunë në familje e shohim se këta hapa kanë qenë të pamjaftueshëm dhe ka shumë sende konkrete që munden të bëhen e nuk janë duke u bërë”, thekson Kika.

Ndryshe prej atyre që kanë siguruar një strehim nëpër qendra, jo pak gra nuk e kanë pasur këtë mundësi gjatë viteve të fundit. Ato shteti ka dështuar që t’i mbrojë, megjithëse institucionet ishin paralajmëruar për rrezikun me të cilin po përballeshin.

Hamide Magashi, që po i numëronte ditët e fundit për t’u bërë nënë, është vrarë një vit më parë në oborrin e Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK, nga arma e shkrepur prej burrit të saj. Për të ishte dhënë urdhri i mbrojtjes, pas raportimit të dhunës së ushtruar nga bashkëshorti, dhe do të duhej të ishte nën mbrojtjen e shtetit. Përveçse u vra, policët e suspenduar nga detyra nën dyshimin për moszbatim të urdhrit për mbrojtje në rastin e saj, në ndërkohë janë rikthyer në punë.

Saranda Keqekolla, ish-mbrojtëse e viktimave të dhunës në familje, thotë se gabimet në sistemin e drejtësisë dhe neglizhenca prej institucioneve përgjegjëse po u kushtojnë grave me jetë.

“Nëse vërtet personat kompetentë janë gjetur fajtorë, janë gjetur shkelje, sinqerisht është e pafalshme njerëz që trajtojnë raste, që ndajnë drejtësi të bëjnë gabime dhe të shpëtojnë me një masë shumë të lehtë. Mendoj se ata të cilët e njohin ligjin, me gjithë faktin që e dinë se cilat janë pasojat, sepse një veprim i tyre i shpejtë ka mundur edhe ta shpëtojë një jetë”, shprehet Keqekolla.

Ajo thotë se politika ndëshkimore do të duhej të ishte më e ashpër, veçmas ndaj personave zyrtarë që dështojnë të ofrojnë siguri për të mbijetuarat e dhunës në familje. Thirrje për ndaljen e rasteve të dhunës në familje dhe për raportimin e tyre përçohen çdo vit edhe nëpërmjet fushatës: “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore”. Por një porosi të bazuar në përvoja kanë për të gjitha gratë dy nga të mbijetuarat e dhunës.

“Mua më kanë thanë që duhet të rri, duhet të rri në atë martesë për hatër të fëmijëve. Por e vërteta është që unë jam larguar për hatër të fëmijëve, sepse fëmijët e mi nuk e meritojnë një trajtim të atillë të nënës së tyre edhe ndaj tyre”, është shprehur 30-vjeçarja, tanimë e strehuar në një nga qendrat e mbrojtjes. Një apel e pati edhe e mbijetuara tjetër e dhunës në familje.

“I bëj apel secilës, se secilën herë po dëgjon për dhunë, që dëgjon për vrasje, sa të mundeni mos thoni jo, po tutemi ose na mbytë a diçka. Më mirë raportojeni rastin, mirëpo edhe as ai mos të është në liri, le të hyjë edhe ai në burg, qysh ke hyrë ti në dhe”, shprehet ajo.

1.763 gra viktima të dhunës në familje më 2023

Pikërisht në kohën e zhvillimit të fushës së aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore, një tjetër grua përfundoi e vrarë në Kosovë. Vrasja e 30-vjeçares Liridona Ademaj dyshohet se u porosit nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli. E për këtë qëllim, ai pretendohet se ka paguar 30 mijë euro.

Është ky viti i dytë me radhë që nga një grua vritet gjatë periudhës së aktivitetit kundër dhunës me bazë gjinore.

Rasti i Liridona Ademajt nxori sërish në rrugë aktivistë dhe qytetarë që ndezën qirinj e zhvilluan marsh në kërkim të drejtësisë.

Kësaj kërkese iu bashkuan edhe udhëheqësit shtetërorë.

“Ajo çfarë ndodhi pra disa ditësh për vrasjen e Liridonës, duhet të jetë edhe një herë zgjim i ndërgjegjes sonë kolektive. Sepse për fat të keq ajo çka po ndodh është se po normalizohet dhuna. Është esenciale që dënimet e institucioneve tona të drejtësisë të mos të jenë të tilla që të mos inkurajojnë dhunuesit në sistemin tonë të drejtësisë, nuk janë shpallur dënime të cilat parashihen me udhëzuesin e vetë sistemit tonë të drejtësisë, por shpallen dënime më të ulëta”, tha presidentja Vjosa Osmani më 6 dhjetor.

E thirrje për vendosjen prapa grilave të porositësve dhe kryerësve të vrasjes së Liridona Ademajt adresoi edhe kryeministri Albin Kurti.

“Policia syçelë si kurrë njëherë po vepron shpejt e me efikasitet të lartë. Por s’po mjafton vetëm arrestimi. Sepse ata po e dinë që ka raste të ngjashme e jo të pakta, kur kriminelët lirohen e veprat po përsëriten edhe më rëndë se herën e parë. Kemi nevojë që krejt sistemi i drejtësisë t’iu bëjë prioritet rasteve të dhunës ndaj vajzave dhe grave. Nuk kemi si ta themi që duhet dënim meritor. Butësia e dënimit po shkakton përsëritjen e krimit”, tha ai.

Rasti i Ademajt, sipas ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e përbën edhe një tregues se ka edhe shumë punë për t’u bërë në funksion të luftimit të dhunës në bazë gjinore.

“Rasti që ndodhi para disa ditësh ishte i rëndë, tronditi opinionin publik. Kjo tregon se pavarësisht faktit se kemi ndërmarrë masa për të luftuar dhunon në bazë gjinore, rasti që ndodhi para disa ditësh tregon se kemi shumë punë për të bërë”, theksoi Haxhiu.

Liridona Ademaj është gruaja e katërt e vrarë brenda vitit në Kosovë. Të dhënat e Policisë tregojnë se sivjet janë shënuar mbi 2 mijë e 180 raste të dhunës në familje, në 1 mijë e 763 prej të cilave viktima ishin gratë.

“Gjatë vitit 2022 janë evidentuar 2.765 raste të dhunës në familje. Viktima të këtyre rasteve kanë qenë 2.288 femra dhe 517 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur 7 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto shtatë raste janë evidentuar 8 viktima (një rast me dy viktima), 4 meshkuj dhe 4 femra. Gjatë periudhës janar-tetor 2023 janë evidentuar 2.186 raste të dhunës në familje. Viktima të këtyre rasteve kanë qenë 1.763 femra dhe 497 meshkuj (ndonjë rast ka pasur më shumë se një viktimë). Kanë ndodhur 4 raste “vrasje e rëndë’ (vrasje brenda familjes), në këto katër raste janë evidentuar 5 viktima (një rast me dy viktima), 2 meshkuj dhe 3 femra”, thuhet në të dhënat e Policisë.

Që nga viti 2010 e deri më tani raportohet se 55 gra janë vrarë në Kosovë nga burrat dhe familjarët e tyre.