Arbëri

Kërkohet angazhim më i madh i shtetit për viktimat e dhunës në familje

Angazhim më i madh i shtetit për viktimat e dhunës në familje është kërkuar në diskutimin “Nga letra në praktikë: Kosova duhet t’i mbajë zotimet ndaj të mbijetuarave të dhunës në familje”.

Mërgime Kajtazi, viktimë e dhunës në familje ka thënë se duhet të ketë më shumë trajnime në Policinë e Kosovës për mënyrën e qasjes ndaj viktimës së dhunës në familje, në mënyrë që sipas saj, të mos fajësohen viktimat.

Sipas saj, për shkak se jo të gjitha gratë në Kosovë kanë kushte të mira ekonomike, shteti duhet t’i ndihmojë ato në të tilla situata dhe opinioni mos t’i fajësojë për divorcimin.

“Jo të gjitha gratë në Kosovë i kanë mundësitë financiare. Kem nevojë që shteti i Kosovës të na ndihmojë në këto situata dhe që opinioni të mos na dënojë që divorcohemi”, ka thënë ajo

Rina Kika, avokate dhe aktiviste e të drejtave të njeriut ka thënë se shumica e grave të cilat kanë qenë viktima të dhunës në familje nuk e kanë ditur se ku duhet të drejtohen në Polici.

“Ky është një problem për sa i përket qasjes në shërbime për shkak se e bënë policinë njëfarë rojtari të portës së shërbimeve për dhunën në familje. Fushatat informuese fokusohen në reklamimin e linjës telefonike të policisë 192 dhe nuk ka një linjë të veçantë. Shumica e personave që duan ta raportojnë dhunën është se kontaktin e parë me shtetin e kanë me policinë e Kosovës. Roli i policisë është qenësor dhe duhet punuar shumë më shumë që përgjigja e policisë me qenë adekuate. Mosbesimi ndaj policisë prej këtij komuniteti është shumë i shprehur”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se sa u përket urdhrave mbrojtës ka ende probleme, duke shtuar se Ligji për byzylykët elektronik nuk ka gjet zbatim.

Sipas saj, sa u përket strehimoreve duhet të përmendet rritja e buxhetit, që konsiderohet element pozitiv.

“Është me rëndësi me përmend që strehimoret e kanë një rregull që qasja u mundësohet vetëm personave që e kanë raportuar rastin në polici. Jo të gjitha gratë janë të gatshme me raportu në polici e shteti e ka për detyrim që t’u lejojë qasje në strehimore. Fatkeqësisht ne në Kosovë nuk kemi strehimore për komunitetin LGBTI. Gratë kanë thënë se e kanë ndier një sens të lartë të izolimit për shkak se në momentin që janë në strehimore u është dashur ta dorëzojnë telefonin”, ka thënë ajo.

Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se viktimat e dhunës në familje dhe ato me baza gjinore nuk kanë informata se ku duhet të raportohet dhuna përveç Policisë së Kosovës.

“Kur një viktimë e raporton dhunën në polici e përmendin vetëm dhunën fizike e nganjëherë edhe seksuale por jo edhe ata psikike. Zyrtarët shpeshherë e arsyetojnë dhunën, me pyetjet se ‘çfarë ke bërë ti’. Një qasje e tillë kur nuk është në qendër viktima është mjaft problematike për trajtim me dinjitet dhe serioz. Policia e Kosovës dështon në monitorim të urdhrave të mbrojtjes”, ka thënë ajo.

Kosova është duke dështuar që të përmbushë në plotni detyrimet për marrjen e të gjitha masave për adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave e vajzave. Ky është vetëm një nga konkludimet e raportit të Amnesty Internacional, të publikuar të mërkurën. Në raport përmendet edhe numri i pamjaftueshëm i strehimoreve të viktimave të dhunës, nënfinancimi i tyre, dështimi për të ofruar mbështetje adekuate e të mjaftueshme sociale, dënimet joadekuate e pengesat e shumta drejt qasjes në dëmshpërblim për dëmet e pësuara.