Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mejdini: Fitorja e Ramës është për shkak të opozitës së dobët

Gazetarja shqiptare, Fatjona Mejdini ka thënë se edhe pak vota kanë mbetur pa u numëruar nga zgjedhjet e së dielës në Shqipëri.

Ajo në Interaktiv të KTV-së ka thënë se ka një fitore të thellë të Partisë Socialiste, porse sipas saj ishte diçka e pritshme.

Fitorja e PS-së, sipas saj, ishte e pritur pasi opozita në Shqipëri është e copëzuar.

“Vendit i mungon opozita e njehsuar që do të bënte të mundur një lloj balance. Në mënyrë të drejtpërdrejte shqiptarët e refuzuan dyshen e famshme të Sali Berishës dhe Ilir Metës. Pati një refuzim të madh nga veriu deri në jug. Kjo ishte një votë ndëshkuese për ta, më shumë se sa që ishte një votë për Edi Ramën”, ka thënë ai.

Ajo ka thënë se do donte që Sali Berisha dhe Ilir Meta të dalin në pension.

Sipas saj, ndonëse ishte distancuar, Sali Berisha ka qenë vazhdimisht në politikë. Ka thënë se ata duhet të hapin rrugë për një proces reflektimi.

Ka shtuar se Shqipëria nuk ka të bëjë me personazhe lehtë të parashikueshme.

“Opozita nuk ka asnjë shans të mund pushtetin, por nuk na lejon edhe neve që të kemi një rotacion pushteti. Duke qenë Berisha e Meta në krye të opozitës, fitorja e PS-së do të bëhet edhe më e thellë. Shqiptarët e theksuan se ata nuk e shohin rrugën përpara me këto personazhe. Unë uroj që të ketë reflektim brenda PD-së”, ka thënë ai.

Ajo ka thënë se PD-ja është parti e madhe dhe duhet të ketë reflektim brenda saj.

Mejdini ka thënë se elektorati e braktisi drejtimin e tij në krye të opozitës.

Ka shtuar se nuk ka kushte ideale për të nxitur frymë më ndryshe.

“Opozita nuk nxori njerëz për t’i votuar. Nga ana tjetër, përqindja në zgjedhje ka qenë ajo më e ulëta. Kemi një ulje shumë të madhe për standardet e Shqipërisë. Kemi 10 për qind më pak se sa zgjedhjet e kaluara. Kjo do të thotë se njerëzit nuk kanë pasur alternativa. Përqindja e ulët e të rinjve tregon se shqiptarët nuk janë të kënaqur me qeverisjen e Edi Ramës. Është një mazhorancë e konsumuar. Rama është në vitin e 10-të si kryeministër. Shqipëria nuk ka pasur lider kaq afatgjatë në këto 33 vjet demokraci”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk ka të rinj që e kanë votuar Ramën.

Mejdini ka thënë se Shqipëria e bën ndryshimin, por sipas saj arsyeja që ka ardhur një fitore kaq e madhe e Ramës është për shkak të mungesës së opozitës.

Ka shtuar se tashmë do ketë arrogancë të shtuar nga ana e Qeverisë.

“Shqipëria është vend me demokraci të re. Momentin kur ke një parti me kohë kaq të gjatë të pushtetit, kjo gjeneron arrogancë. Rama është mjeshtër për të krijuar show, ka bërë punë të mira në Shqipëri, por nuk duhet të harrojmë që janë disa komponentë të rëndësishëm ekonomikë që nuk kanë shkuar përpara në këto vite pavarësisht se Rama e ka pasur pushtetin e pakufizuar. Shqipëria do të vijojë të qeveriset nga një parti e vetme derisa opozita të bëhet koshiente për gjithë këtë”, ka thënë ajo.

Mejdini ka thënë se Tirana gjithmonë ka pasur më shumë zgjedhje në fletën e votimit sesa zonat tjera të Shqipërisë.

Sipas saj, PD-ja ka vend që të riorganizohet dhe të vijë fuqishëm në skenën politike shqiptare, por thotë se kjo mund të bëhet përmes proceseve të dhimbshme brenda partisë.

Ka shtuar se cilësia e zgjedhjeve në Shqipëri është përmirësuar.

“Proceset e fundit zgjedhore kanë qenë procese që kanë treguar ndryshime rrënjësore. Kemi reflektuar mbi një sërë gjërash. Por kjo qetësi vjen edhe nga fakti që shqiptarët nuk janë ata pasionantët e vjetër pas politikës. Ka një lloj rritje në të gjitha komponentët. Shqipëria ka kaluar fazën kur procesi mund të manipulohet. Shqipëria ka histori të tmerrshme për presionin që iu bëhet njerëzve të punësuar në administratë. PS-ja ka ushtruar presionin e saj në administratën në Shqipëri”, ka thënë ajo.

Artikuj të ngjashëm