Ruke Dervishi nga komuna e Gjakovës, ka ardhur për të vendosur lule te varri i zbrazët i djalit që e rriti.
Ajo tregon se është shumë e mllefosur nga institucionet e Kosovës, pasi që edhe pas 20 vjetësh, nuk është zbardhur fati i të pagjeturve, raporton KTV-ja.
Të zhgënjyer me punën e deritanishme të institucioneve janë edhe familjarët e tjerë, që kujtojnë më të afërmit e tyre të vrarë në masakrën e fshatit Mejë të Gjakovës.
Valon Isufi, i cili humbi 12 anëtarët e familjes, përjetoi edhe vetë tmerrin e 27 prillit të vitit 1999.
Ai edhe pas 20 vjetësh, vazhdon të kërkojë edhe trupin e një familjari, derisa akuzon strukturat e shtetit për mosinteresim për të dhe familjen e tij.
Më 27 prill të vitit 1999,njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës, duke ekzekutuar 376 burra shqiptarë, në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit, e cila nën vallen e gjakut, ishte krijuar me lojërat e juristëve të Millosheviqit, më 27 prill 1992.
Edhe pas dy dekadave nga masakra e Mejës, rreth 20 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur.