Drejtori i Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, do të qëndrojë të premten dhe të shtunën në Kosovë, shkruan mediumi serb “Kossev” duke cituar një njoftim të zyrës për Kosovë.
Sipas mediumit, Petkoviqi do të marrë pjesë në ndezjen e pemës së Krishtlindjes në Zubin Potok, ndërkaq, në mesnatë ai do të jetë në liturgji në manastirin e Banjskës.
“Sot, në ditën e Krishtlindjes, Petkoviq do të arrijë në Zubin Potok në ora 16:30. Në portën e kishës së Shën Triaisë ai do të marrë pjesë në ndezjen e pemës së Krishtlindjes dhe më pas është paralajmëruar bisedë me qytetarët e mbledhur. Më pas Petkoviq do të marrë pjesë në Liturgjinë e Krishtlindjes në mesnatë në manastirin e Banjskës”, thuhet në njoftim.
KOHA ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës (MPJ) të dijë nëse i është lejuar Petkoviqit vizita në Kosovë dhe është në pritje të një përgjigjeje.