Nuk ka dhënë shumë detaje mbi kohën dhe përmbajtjen e takimit, por fotoja që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka postuar në “Facebook” e ku shfaqet në krah të presidentit amerikan Donald Trump, ka mjaftuar për të alarmuar mediet serbe.
Për to, imazhi është një tjetër konfirmim i mbështetjes së administratës së re amerikane ndaj Kosovës, pas deklaratave të disa pjesëtarëve të kabinetit Trump, përcjell TCh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Trumpi, shuplakë Serbisë”, është titulli kryesor i gazetës “Blic”, e cila përmend të gjitha deklaratat e udhëheqësit amerikan në mbështetje të Republikës së Kosovës, si për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, por edhe për krijimin e ushtrisë.
“Blic” citon Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, James Mattis, i cili ka thënë se Kosova e meriton ushtrinë, e gjithashtu komentin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në OKB, Nikky Hailey, se Kosova e ka vendin në OKB.
“Trumpi shqiptar?”, është titulli i gazetës “Informer” që po ashtu rendit historikun e mbështetjes amerikane për Prishtinën. Edhe gazeta “Kurir” i kushton faqen e parë fotos së Veselit me presidentin Trump, nën titullin “Ofensiva e Kosovës në Amerikë”.
Ditë më parë, kryeministri i Serbisë Aleksandër Vuçiq paralajmëroi qytetarët serbë se, udhëheqësi i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherazi kryetar i Kuvendit, po i forcon pozitat e tij, e kjo sipas tij është diçka e keqe për Serbinë.
Kadri Veseli është udhëheqësi i parë shqiptar që e takon presidentin Donald Trump. Ai nuk dha shumë shpjegime lidhur me foton e postuar në rrjetin social “Facebook”, përveçse që ishte realizuar gjatë një takimi disa ditë më parë.