Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Meçollari: Autoritetet shtetërore po heshtin për arrestimin e 5 detarëve që shpëtuan 55 refugjatë

Ish-zëvendëskomandanti i Forcës Detare të Shqipërisë, Artur Meçollari, është deklaruar rreth arrestimin të pesë detarëve të cilët po bënin roje me anijen Bora më 8 janar të vitit 2021, kur shpëtuan një anije me 55 refugjatë sirianë.

Ata ishin arrestuar dhe po akuzohen se kanë lejuar të iknin dy trafikantët që organizuan udhëtimin e refugjatëve, për çka nënkoloneli i Marinës Shqiptare thotë se kjo është një situatë komplekse që kishte ndodhur, teksa shton se sa më e arsyetuar të jetë ngjarja, aq më e thjeshtë mund të kalojë procesi ndaj pesë detarëve.

Meçollari thotë se ka një neglizhencë dhe një heshtje nga ana e autoriteteve shqiptare sa i përket kësaj çështje, duke mos dhënë asnjë deklarim as Forcat Detare, as Ministria e Mbrojtjes e as ndonjë autoritet shtetëror që do të deklaronte pozicionin dhe provat që japin një pamje të plotë të ngjarjes.

Sipas tij, një strukturë që është përgjegjëse për zhvillimin e operacionit do të duhej të ishte e interesuar për dhënien e të gjitha argumenteve që do të mundësonin një gjykim të drejtë.

“Ata nuk mund të paragjykohen për kombësinë, statusin, apo rrethanat e gjetjes, pra mbi askënd nuk ngrihet dyshimi qoftë edhe i arsyeshëm deri në momentin sa jeta e tyre është e sigurt. Kjo është një situatë komplekse e cila do të ketë pasojat e saj. Sa më e arsyetuar të jetë si ngjarje aq më e lehtë do të jetë. Në të gjithë këtë histori ka një neglizhencë, një heshtje nga autoritetet shqiptare, ata të cilët e kanë urdhëruar zhvillimin e operacionit të saj dhe kjo është një nga elementet të cilat, një strukturë që është përgjegjëse për zhvillimin e operacioneve duhej të ishte e interesuar për dhënien e të gjitha argumenteve që do të mundësonin një gjykim të drejtë”, ka thënë ai. “Deri tani nuk ka asnjë deklarim nga Forcat Detare, as nga Ministria e Mbrojtjes e as nga ndonjë autoritet shtetëror që do të deklaronte pozicionin jo në kuptimin e fajësisë, por të deklarojë të gjitha provat të cilat japin një pamje të plotë të ngjarjes dhe evidentojnë aktin e tyre heroik të shpëtimit të 55 emigrantëve në datën 8 janar 2021”, shtoi më tej Meçollari.

Sipas nënkolonelit të Marinës Shqiptare, dhënia e ndihmës në det është një detyrim ligjor për aq kohë sa nuk rrezikohet ekuipazhi i anijes në ndihmë, “pra kjo ka qenë një akt heroik pasi ata kanë menaxhuar situatën duke vendosur anijen e tyre në rrezik për të siguruar të tjerët”.

Edhe Dyshime për reagimin e rojave bregdetare në tragjedinë e Mesdheut Botë Dyshime për reagimin e rojave bregdetare në tragjedinë e Mesdheut

Ndaj pesë detarëve është duke u zhvilluar një proces në Shqipëri. Ata gjatë vitit të kaluar kishin shpëtuar një anije me 55 refugjatë sirianë, por që më pas është ngritur një aktakuzë ndaj tyre nga Prokuroria Shqiptare se lejuan që të iknin dy trafikantët që organizuan udhëtimin e refugjatëve.

Më shumë se 2 mijë refugjatë kanë vdekur në det gjatë vitit 2021, pa arritur në destinacionin ku synonin.