Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më pak se 30,000 qytetarë të Kosovës i kanë marrë të dy dozat e vaksinës

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se numri i të vaksinuarve me dozën e dytë të vaksinës anti-COVID në Kosovë, është 29,314 derisa i atyre me vetëm një dozë, është 157,338.

Sipas Ministrisë, vetëm gjatë 24 orëve të fundit, janë dhënë 4,682 vaksina kundër koronavirusit, në tërë Kosovën.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka deklaruar të shtunën se javën e ardhshme pritet të vijë kontingjenti i parë i vaksinave të Pfizerit të cilat i ka blerë Qeveria e Kosovës. Vitia nuk ka saktësuar se sa doza pritet të vijnë me këtë kontingjent.

Sipas ti, synimi i Qeverisë është që brenda një muaji të realizohen deri në 500,000 vaksinime.

Plani i vaksinimit në Kosovë tashmë ndodhet në fazën e dytë, e që nënkupton që të drejtë të vaksinimit kanë personat mbi moshën 65-vjeçare, ata me sëmundje kronike, dhe pjesëtarët e FSK-së dhe Policisë së Kosovës.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur në fund të muajit mars.