Arbëri

Me gjithë “garën” në rrjetet sociale për kreun e ri të LDK-së, kandidaturat mbesin jozyrtare

Në mënyrë të veçantë janë përshëndetur përkrahësit e anëtarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, këto dy ditët e fundit.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, të premten mbrëma ka postuar një fotografi së bashku me Kujtim Shalën, duke uruar një mbrëmje të mirë.

“Mirëmbrëma të gjithë anëtarëve të Lidhjes”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Paraditen e së shtunës një gjë të tillë e ka bërë edhe Imet Rrahmani. Por, për dallim nga Hoti, Rrahmani përshëndetjen e tij e ka shoqëruar me një fotografi së bashku me Lutfi Hazirin.

Që të dy, Shala e Haziri, janë në mesin e anëtarëve të LDK-së, të cilët janë duke u përfolur se do të jenë kandidatë për të marrë postin e të parit në këtë parti.

I pyetur lidhur me këto mesazhe të anëtarëve të LDK-së, kryetari tani në dorëheqje, Isa Mustafa, ka thënë se ende nuk ka ndonjë gjë zyrtare.

“Nuk ka asnjë lëvizje zyrtare për pretendime për kandidatë. Janë edhe dy javë për të gjithë ata që vendosin të kandidojnë sikurse edhe për organet dhe forumet e LDK-së për të propozuar. Procesi është i hapur, pa asnjë ndërhyrje, dhe demokratik. Kryetari do të zgjedhet në garë të barabartë, sipas rregullave që i parasheh statuti i LDK-së”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, derisa Kujtim Shala nuk është përgjigjur që nga e premtja, Lutfi Haziri ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të jetë kandidat për kryetar të LDK-së.

“Ende nuk ka asnjë vendim nga ana ime. Jam në konsultime të brendshme”, ka deklaruar Haziri.

Përkrahjen e tij për Hazirin, nëse i njëjti kandidon për kreun e LDK-së, e ka konfirmuar Imet Rrahmani.

“Unë për vete nëse z. Haziri ose Luta vendos me u kandidu, unë besoj që i merr votat. Vendimi është i tij por ai nëse do, ka me i marrë votat”, është shprehur Rrahmani.

Përkundër se thotë që askush nuk duhet të privohet nga gara për kryetar të LDK-së, Naser Rugova, anëtar i Këshillit të përgjithshëm të kësaj partie, beson se ka një tentativë që zgjedhja e kryetarit të ri të diktohet nga udhëheqja e vjetër.

“Sjellja e një partie historike që është aset nacional i këtij shteti në këtë gjendje për mua është shqetësuese. Unë pretendoj që ky lidership po tenton që t’i fusë duart në zgjedhjen e kryetarit dhe lidershipit të ri”, ka thënë Rugova.

Lidhur me kandidaturat e mundshme, KOHA ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti. Por, ai nuk është përgjigjur.

Ditë më parë, kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka vendosur që Kuvendi zgjedhor i kësaj partie të mbahet më 14 mars.