Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Më 28 nëntor rivarroset Adem Ademi nga “Grupi i Intelektualëve”

Adem Ademi

Kirurgu Adem Ademi, mbetjet mortore të së cilit u identifikuan nga gërmimet që janë zhvilluar në fshatin Kalludër e Vogël të Zubin-Potokut, pjesë e “Grupit të Intelektualëve” të zhdukur që nga lufta, do të rivarroset më 28 nëntor në Mitrovicë.

Djali i tij, Erblin Ademi, ka njoftuar se fillimisht do të zhvillohen homazhe nga ora 10:00, pastaj mbledhje komemorative, që të dyja në Qendrën e Kulturës “Rexhep Mitrovica” në Mitrovicë, dhe pastaj procesi i rivarrimit nga ora 14:00.

“Familja Ademi njofton familjarët, miqtë, kolegët dhe të gjithë qytetarët se ceremonia e rivarrimit të më të dashurit tonë, Dr. Adem Ademit, do të mbahet më 28 nëntor 2026 (ditë e shtunë) në orën 14:00, në Varrezat e Qytetit në Shipol -Mitrovicë. E pamja dhe pritja e ngushëllimeve, për burra dhe gra, do të mbahen në Hotel LUX, Mitrovicë, nga data 29.11.2026 deri më 01.12.2026 (3 ditë), prej orës 08:00 deri në 16:00. Programi i ceremonisë – 28 nëntor 2026 (ditë e shtunë) •10:00 – 11:30 Homazhe; •12:00 – 13:00 Mbledhja komemorative”, thuhet në njoftimin e tj.

Më 3 nëntor, kryeministri Albin Kurti njoftoi se nga raportet e reja të ADN-së është identifikuar që mbetjet mortore të gjetura nga gërmimet në fshatin Kalludër e Zubin-Potokut janë të; Adem (Fazli) Ademi, Fatmir (Bajram) Fazliu, dhe Ali (Islam) Haliti, pjesë e Grupit të Intelektualëve.

Procesi i identifikimit po vazhdon ende për persona të tjera të këtij grupi. 

“Grupi i Intelektualëve të Mitrovicës”, që përbëhej prej 23 personash, ishte zhdukur që nga prilli i vitit 1999, ndërsa në mesin e tyre kishte mjekë, profesorë, avokatë dhe profesionistë të tjerë.