Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

MD-ja e ka bërë prioritet adresimin e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave

Ministria e Drejtësisë ka thënë se mbështet rekomandimet e Avokatit të Popullit përkitazi me detyrimet pozitive të shtetit për të drejtën në jetë dhe mbrojtje nga dhuna në familje.

MD-ja ka thënë se është e vendosur në prioritet adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe po ashtu të angazhohet në fuqizimin e kapaciteteve për institucionet.

“Ministria e Drejtësisë i ka kushtuar vëmendje të veçantë Raportit të Avokatit të Popullit lidhur me dështimin e autoriteteve përgjegjëse për të mbrojtur jetën e grave siç ishte rasti i fundit kur bashkëshorti i mori jetën gruas së tij dhe më pas kreu vetëvrasje. Sipas të gjeturave të Avokatit të Popullit, viktima grua, pas pothuajse një viti dhune të vazhdueshme, kishte raportuar rastin dy herë në organet e policisë. Herën e parë, 16 muaj para se të vritej nga bashkëshorti; dhe herën e dytë vetëm 11 ditë para vrasjes. Rezulton që në vijim të raportimit të parë, Gjykata Themelore në Gjilan kishte shpallur aktgjykim dënues për veprat penale “dhunë në familje” dhe “sulm”, kurse në vijim të raportimit të dytë, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte inicuar procedurë penale, por në këtë proces kishin mbetur të pa njoftuar për rastin mbrojtësit e viktimave dhe organet e policisë nuk kishin përpiluar një plan për sigurinë e viktimës. Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Procedurat Standarde të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje në Kosovë parashikojnë protokolle të qarta veprimi për secilin institucion përgjegjës. Ministria e Drejtësisë e ka vendosur në prioritet adresimin e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore dhe po ashtu do të angazhohet në fuqizimin e kapaciteteve për institucionet”, thuhet nga MD-ja.

MD ka vlerësuar hulumtimin në Raportin në fjalë dhe mbështet plotësisht rekomandimet e Avokatit të Popullit.

“Është e domosdoshme që të ndërmerren hapa për të garantuar që ngjarje të ngjashme të parandalohen dhe të mos përsëriten në vendin tonë. Dhuna në familje nuk është çështje private, është përgjegjësi institucionale prandaj ajo nuk guxon të mbetet e izoluar dhe në asnjë rast nuk guxon të neglizhohet”, thuhet nga MD.