Trafiku Urban në Prishtinë ka bërë të ditur se do të ndryshohet orari në rrjedhën e qarkullimit të autobusëve pas datës 26 nëntor, kur edhe do të mbyllet rruga “Xhorxh Bush”.
Komuna e Prishtinës njoftoi dje se rruga “Xhorxh Bush” do të mbyllet nga data 26 nëntor deri më 8 janar të vitit 2023, pasi planifikohet që aty të organizohen aktivitete të ndryshme për festat e fundvitit.
Rrjedhja e qarkullimit të Trafikut Urban nga e diela do të jetë si më poshtë:
Linja Nr. 1: Ndryshimi i linjës nga drejtimi Fushë-Kosovë – Prishtinë dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në pikën e fundit te Fakulteti Teknik.
Linja Nr. 1A: Ndryshimi i linjës 1A në shkuarje dhe ardhje do të vazhdon në rrugën “Bulevardi Bill Clinton” për në drejtim të “Bulevardit Dëshmorët e Kombit” dhe përfundon në stacionin e autobusëve.
Linja Nr. 3: Ndryshimi i linjës nga drejtimi Bardhosh – Mat dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në stacionet e fundit.
Linja Nr. 4: Ndryshimi i linjës nga drejtimi Matiqan – Gërmi dhe anasjelltas do të realizohet përmes rrugës “Robert Doll” në drejtim të rrugës “Luan Haradinaj” për në stacionet e fundit.
Linja Nr. 7C: Ndryshimi i linjës 7C nga rruga “Bulevardi Dëshmorët e Kombit”, linja vazhdon në rrugën “Bulevardi Bill Clinton” në drejtim të pikës së fundit në lagjen Kalabria.