Arbëri

Mbyllet një bufe e ministrive në “Ish-Rilindje” për shkak të duhanit, tjetra gjobitet

Një nga hapësirat që ka shërbyer si bufe për ministritë e vendosura në objektin e “Ish-Rilindjes” në Prishtinë, është mbyllur ditë më parë për shkak të shkeljes së Ligjit për kontrollin e duhanit, ka njoftuar Ministria e Bujqësisë të premten. Bufeja tjetër në këtë objekt është gjobitur me 3000 euro dhe menaxherit të biznesit i është dorëzuar fletëparaqitja për gjykatë.

“Duke u bazuar në kërkesën e Ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci për zbatueshmërinë e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka inspektuar bufet të cilat gjenden në objektin e ‘Ish-Rilindjes’, ku aktualisht janë të vendosura stafi i disa Ministrive. Në inspektimin e bërë para disa ditësh, njëra hapësirë e cila ka shërbyer si bufe është mbyllur sipas paragrafit 1 të nenit 11 të Ligjit Nr. 04/L-156, ndërsa tjetra është gjobitur për shkelje të ligjit më fjalë”, thuhet në njoftim të Ministrisë së Bujqësisë.

Po ashtu është thënë se do të ndërmerren masa disiplinore ndaj zyrtarëve dhe personave që kanë shkelur ligjin brenda hapësirave të punës. Sipas Ligjit për Kontrollin e Duhanit, masat ndëshkimore për zyrtarët/punonjësit shqiptohen nga Zyrtari Kryesor Administrativ dhe Inspektorati i Punës.

“Urdhëresa e Ministrit Faton Peci vlen ndaj të gjithëve pa përjashtim. Andaj, edhe AUV do të vazhdojë me inspektimet me frekuencë të shtuar”, thuhet në njoftim.

Një ditë më parë, ministri Peci pati bërë thirrje që autoritetet të marrin masa rigoroze ndaj shkelësve të ligjit. Inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm ditën e djeshme kanë shqiptuar 120 masa ndëshkimore për shkelësit.

Ky ligj është në fuqi nga viti 2013.