Derisa temperatura këtë javë në Kosovë po rritet, mëngjesin e së hënës të gjitha sheshet e Prishtinës, janë mbyllur për qarkullim, si masë parandaluese për koronavirusin.
Rruga përgjatë shesheve “Skënderbeu”, “Nëna Terezë” e “Zahir Pajaziti”, ishte megjithatë e kalueshme e për të respektuar këtë rregull u përkujdesën edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës.
Nga Policia është thënë se shiritat u vendosën me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste emergjente ose punë, raporton KOHA.
Në raportin 24-orësh të Policisë, thuhet se janë ndaluar 6 persona, për mosrespektim të masave që kanë vendosur institucionet shëndetësore. Të pyetur se çfarë do të ndodhë me personat të cilët nuk e respektojnë këtë masë, Policia nuk dha përgjigje.
“Referuar vendimeve dhe rekomandimeve të institucioneve shtetërore ndaj pandemisë COVID-19, Policia e Kosovës ka vënë shirita sigurues në sheshe, me qëllim të zbatimit të vendimeve mbi ndalimin e grumbullimit dhe shfrytëzimit të shesheve për shëtitje, por jo edhe për raste pune. Kjo masë ka për qëllim parandalimin e përhapjes së virusit përmes grumbullimit të njerëzve. Policia e Kosovës vazhdon t’i ftojë qytetarët për respektim të vendimeve dhe njëherësh i falënderon për bashkëpunim dhe mirëkuptim”, thuhet nga Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, qytetarët të cilët patën rast të kalojnë nëpër sheshe, megjithatë nuk e shohin të arsyeshme këtë masë. Sipas tyre, tashmë shumica e banorëve të Kosovës, janë vetëdijesuar rreth masave për t’u ruajtur nga infektimi i mundshëm.
Policia megjithatë masë të këtillë zbatoi edhe në Podujevë. Shirita të sigurisë janë vënë në sheshin "Ali Ajeti", për të parandaluar qëndrimin e qytetarëve aty.
Lidhur me këtë masë, është deklaruar edhe Qeveria e Kosovës. Sipas Qeverisë, kjo masë është në kuadër të vendimeve të mëhershme të marra nga institucionet përgjegjëse, për të parandaluar përhapjen e virusit.
“Vendosja e shiritave në sheshe është në kuadër te vendimeve të mëhershme, përkatësisht vendimit të Grupit Ndërinstitucional për Menaxhimin e Incidenteve për mbylljen e të gjitha parqeve me qëllim parandalimin e grumbullimit të qytetarëve në hapësira të përbashkëta dhe vendimit të mëhershëm të Qeverise në detyrë për ndalimin e qarkullimit të qytetareve në sheshet e hapura. Meqë kjo javë pritet të përcillet me mot me diell, institucionet përgjegjëse kane vendosur forma të reja që i shërbejnë zbatimit të vendimit për ndalimin e qarkullimit në sheshe, me qëllim parandalimin e frekuentimin dhe grumbullimin e qytetarëve në këto hapësira”, ka thënë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës.
Zyrtarë të Policisë i kanë thënë KOHËS së kjo masë do të jetë në fuqi deri më 13 prill, aq sa mbetet në fuqi edhe vendimi për kufizim të lëvizjes.