Komuna e Prishtinës ka njoftuar të premten se më 21 dhe 22 maj, duke filluar nga ora 06:00 e deri në 23:40, bëhet testimi i dytë i shndërrimit të të gjithë unazës qendrore të kryeqytetit në qarkore njëkahëshe për vetura.
Sipas njoftimit, qarkorja njëkahëshe gjatë kësaj fundjave do të jetë funksionale në drejtim të rrugëve:
“Agim Ramadani”që nga semaforët pranë ish-menzës së Studentëve e deri te rrethrrotullimi prapa ndërtesës së Komunë
- Rruga “UÇK” nga Parlamenti e deri te ish-Kino Rinia.
- Rruga “Migjeni” deri te ndërtesa e ish-OSBE
- Rruga “Luan Haradinaj” deri te semaforët pranë Bankës Qendrore
- Rruga “Garibaldi” deri te semaforët pranë Grandit
Ndërsa, rrugët “George Bush” deri tek semaforët pranë Katedrales dhe “Garibardi” deri tek semaforët pranë rrugës”Dritan Hoxha”, do të jenë të mbyllura për automjete dhe do të shfrytëzohen për aktivitetet e parapara në “Festivali i Pranverës”.
“Ju bëjmë thirrje qytetarëve të kenë durim përgjatë kësaj periudhe provuese të ndryshimit të qarkullimit me automjete, meqenëse qëllimi kryesor i testimit është zgjidhja afatgjate e lirimit të hapësirave të lëvizjes për këmbësorë sipas rekomandimeve të task forcës rrugore, si dhe lirimi i mbingarkesës së trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e komunës.
Testimi i parë i qarkores njëkahëshe është bërë më 23 dhe 24 prill.
