Kabineti qeveritar është mbledhur të dielën për shkak të situatës së krijuar gjatë ditës në veri të Kosovës. Në një komunikatë për media, Qeveria njoftoi se institucionet vartëse kanë vazhduar përmbushjen e detyrave “në kuadër të përgjegjësive që kanë”.
Siç mëson KOHA, mbledhja ka përfunduar rreth orës 18:00, derisa Kurti ka thënë se dialogu dhe institucionet nuk kanë alternativë.
“Ai përsëriti thirrjen që mos të bojkotohen ose braktisen institucionet e Kosovës, të cilat i shërbejnë çdonjërit pa dallim. Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për sundim të ligjit, respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe pakicave, barazi, shërbim ndaj qytetarëve, paqe dhe siguri”, thuhet në komunikatë.
Kurti ka deklaruar të dielën para mediave se situata e sigurisë në Kosovë rrezikohet nga individë e grupe të ndryshme të kriminalizuara.